Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa në një konferencë për media ka prezantuar në detaje pesë propozimet e kryetarit të Partisë Demokratiket të Kosovës, Memli Krsaniqi, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në përballje me krizën ekonomike.
Partia Demokratike e Kosovës propozon që:
- 1. Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha mallrat esenciale të konsumit për një periudhë gjashtë-mujore. Duke marrë parasysh se kostoja mesatare e shportës së produkteve ushqimore esenciale për një familje kosovare është rreth 422 euro, nga kjo masë një familje mesatarisht do të përfitonte një zbritje të kostos së jetesës prej 33,76 euro në muaj.
- Të lirohen nga akciza produktet e naftës për një periudhë gjashtë-mujore, gjë e cila do të ulë çmimin e naftës për 36 centë në litër. Duke supozuar një shpenzim mujor prej 60 litra naftë në muaj për një familje, atëherë përfitimi direkt mesatar mujor nga kjo masë do të ishte 21.6 euro në muaj.
- Të lirohet nga TVSH-ja konsumi i energjisë elektrike për një periudhë gjashtë-mujore dhe të subvencionohen me 25% faturat e atyre që konsumojnë deri në 1200 kwh. Duke marrë për bazë një faturë prej rreth 90 euro që rezulton nga një konsum i tillë, atëherë vlerësojmë se përfitimi mujor nga kjo masë për një familje do të jetë 27.9 euro.
- Të rriten pagat, pensionet dhe ndihmat sociale për të paktën aq sa është norma mesatare e inflacionit (rreth 15%). Nëse e marrim për bazë pagën mesatare prej 484 euro sa ka qenë në vitin 2021, atëherë përfitimi mujor nga kjo masë për punonjësit do të ishte rreth 72.6 euro në muaj.
- Të lejohet tërheqja deri në 30% e kursimeve pensionale dhe të rimbursohet gradualisht shuma e tërhequr për kontribuuesit që kanë më pak se 10,000 euro në llogaritë e Trust-it.
“Nëse i mbledhim efektet e pritura vetëm nga katër masat e para, pa e përfshirë tërheqjen e mjeteve nga Trusti, atëherë shohim se përfitimi për një familje mund të arrijë mesatarisht deri në 155.86 euro për muaj gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, që i bie mesatarisht 935.16 euro për gjashtë muaj”, tha Mustafa.
Mustafa kritikoi Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si i është përgjigjur krizës ekonomike, duke e quajtur si joserioze dhe përjashtuese, e cila nuk përfshin të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Ai shtoi se plani pesëpikësh i propozuar nga PDK paraqet një kornizë më të dinjitetshme dhe më gjithëpërfshirëse të mbështetjes së qytetarëve.
“Këto masa pra paraqesin një kornizë më të dinjitetshme dhe më gjithëpërfshirëse të mbështetjes së qytetarëve, duke përfshirë edhe sektorin privat që deri më tani nuk ka gëzuar mbështetje domethënëse nga e shtetit. Me zbatimin e këtyre masave, qytetarëve do t’u ofrohej siguri për periudhën e ardhshme dhe po ashtu, përmes nxitjes së kërkesës së përgjithshme, do të ndihmohej rigjallërimi i aktivitetit ekonomik, i cili po shfaqet me tendenca të dobësimit”, tha Mustafa.