Mustafa i përgjigjet Haradinajt: Populli thotë se në Radoniq ka të burgosur “të popullit”

E publikuar: 16/10/2015 23:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, përmes profilit të tij në Facebook i është kundërpërgjigjur një deklarate të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj dhënë në Interaktiv.

“Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestojë Isa Mustafën’… ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të ‘popullit’”, ka shkruar Mustafa.

Në një paralajmërim të intervistës e cila jepet pas pak në KTV, është raportuar se “opozita mund të pranojë dialog, vetëm pasi kryeministri Mustafa të heqë dorë nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi”. Aty, Haradinaj, pohoi se nëse pushteti insiston të arrestojë deputetët që hodhën gaz, populli do ta arrestojë Isa Mustafën.

Edhe ditë më parë Mustafa e Hardinaj kanë shkëmbyer porosi përmes profileve të tyre përkatëse në Facebook.

“Ata që po bëjnë me gisht e po kërcënojnë, nuk kanë lënë asgjë pa premtuar e pa ofruar për të qenë në pushtet: Gjykatën Speciale, vendet e rezervuara edhe dy mandate, gjenerozitete për pakicat, vazhdim të dialogut dhe implemtim të marrëveshjeve. Sa për mua, është e qartë se njerëzit e LDK –së i kanë vrarë e i kanë kërcënuar, por ata asnjëherë nuk janë dorëzuar. E kanë kërcënuar edhe Ibrahim Rugovën, janë likuiduar shumë veprimtarë të LDK-së , por fryma shtetëndërtuese nuk është ndalur. Nuk do ta ndalni as ju!”, kishte shkruar Mustafa.

“Nuk e di se çka ka pasur ndërmend Isa Mustafa, kur e ka shkruar statusin e tij në Facebook, për vrasjen e aktivistëve të LDK-së dhe kërcënimet ndaj presidentit Rugova, por nëse edhe me pahir i ka shkuar mendja tek unë, (siç e paskan interpretuar disa media) kjo tregon burracakërinë e tij. Ai po provon të gjejë fije kashte për ta shpëtuar lëkurën e vet. Ia kujtoj Isa Mustafës se kur unë kam pasur marrëveshje burrash me presidentin Rugova, ai ka qenë si hijenë kundër tij, sikundër që është edhe sot, thellësisht kundër frymës së Ibrahim Rugovës, i cili as në atë dynja nuk do t’i kishte falur Bjeshkët e Rugovës! Lere Facebookun e kthjellu kryeministër, sepse edhe aty e mbyte shqipen!”, kishte shkruar Haradinaj.