Ish-deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, i cili hoqi dorë nga mandati i ligjvënësit pas shpalljes së dënimit nga Gjykata e Apelit, ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale është i mirëseardhur dhe se përmes saj do të pastrohet lufta e UÇK-së.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Holandës thuhet se kjo Gjykatë do të përbëhet nga gjyqtarë ndërkombëtar, por që do të themelohet sipas ligjit të Kosovës, e që kjo nuk do të jetë një gjykatë ndërkombëtare por një gjykatë kombëtare kosovare, e cila administron drejtësinë jashtë Kosovës.
Por, ndryshe nga deputetet e opozitës të cilat nuk e përkrahin themelimin e Gjykatës Speciale dhe që e quajnë padrejtësi ndaj shtetit të Kosovës, Rrustem Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se kjo Gjykatë duhet të krijohet.
Mustafa, për KosovaPress tha se duhet që ta mbyllim kapitullin e viteve të kaluara, ku është shprehur i sigurt që gjatë kohës së luftës në Kosovë nuk ka krime të kryera të cilat do të përkufizohet si krime lufte. E, për këtë ai thotë se të gjitha fjalët dhe propagandat sugjestive si dhe percepsionet e krijuara për UÇK-në do të rrëzohen dhe eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë.
“Unë jam nga ata qe kam përkrahur Gjykatën Ndërkombëtare, ne duhet të mbyllim kapitullin e viteve të kaluara. Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë. Pres që Gjykata Speciale të zgjeroj fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë. Mendoj se ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione te krijuara me mund si gjykatat, universitetet dhe gjithçka qe i jepte fryme zhvillimit dhe rrugës se vendit për ecje se mbari”, ka thënë Mustafa.
Ai gjithashtu tha se beson në vlerat e UÇK-së dhe se tani më shumë se kurrë do të jenë të qarta të gjitha të ligat që e kanë rënduar vlerat e UÇK-së, e ku do të shihet se në mënyrë të orkestruar kanë sulmuar me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta.