Mustafa fshin edhe postimin për Haradinajn, thotë se s’e shkroi ai

E publikuar: 17/10/2015 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy postime i është dashur t‘i fshijë kryeministri Isa Mustafa nga profili i tij në Facebook. Sipas tij, në të dyja kjo është bërë për shkak se llogaria e tij është keqpërdorur.

Në një postim që është shkruar në profilin e tij, thuhej: “Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestojë Isa Mustafën’… ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të ‘popullit’”, ka shkruar Mustafa.

Nuk ka vonuar përgjigja e kreut të AAK-së.

Por ende pa e bërë këtë Haradinaj, Mustafa ka fshirë postimin në profilin e tij, duke thënë se ai nuk është shkruar prej tij.
“Pak më parë më është dashur ta fshijë një postim në llogarinë time Facebook, të postuar pa kontrollin tim”, ka thënë Mustafa.

Më parë, po në mbrëmje, Mustafa kishte fshirë edhe një postim tjetër, të cilin pranon se e ka shkruar vetë, por jozyrtarisht thuhet se ai është fshirë pas një keqpërdorimi që është bërë nga një profil i rremë.

Aty kryeministri Mustafa ka folur për veriun e vendit.

“Çfarë kërkojnë serbët e Mitrovicës së Veriut është dëshirë e tyre, por kufiri ndërmjet pjesës veriore dhe jugore të Mitrovicës është dhe mbetet ai i përcaktuar me Pakon e Ahtisarit e jo në lumin Ibër”, ka shkruar Mustafa.

Menjëherë janë ngjallur dyshime se Isa Mustafa i ka rënë vetë pishman për këtë postim. Në postimin e tij për fshirjen e këtij postimi, këtë dyshim ia kanë shprehur edhe ndjekës të Mustafës në Facebbok.

Jozyrtarisht është thënë se arsyeja e fshirjes së këtij komenti është një profil i rremë, që për emër ka vetëm një shkronjë arabe, teksa përdorë fotografi të Isa Mustafës në profil. Duke etiketuar emrin e Mustafës, ky profil ka shkruar fjalë banale.

Ndërkohë, Sokol Havolli, shef i Kabinetit të Kryeministrit Isa Mustafa, në një postim të tij ka thënë se: “Sot gjatë gjithë ditës është sulmuar faqja e kryeministrit Isa Mustafa edhe nga hackerë edhe nga llogari të falsifikuara”.

Dy postime i është dashur t‘i fshijë kryeministri Isa Mustafa nga profili i tij në Facebook. Sipas tij, në të dyja kjo është bërë për shkak se llogaria e tij është keqpërdorur.