Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa , përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social facebook, iu është përgjigjur kritikave të shumta që po vijnë nga partitë opozitare. Ai ka thënë se qeveria do të punojë me ngulm për realizimin e programit të saj.
Lexojeni shkrimin e plotë të kryeministrit Mustafa:
“ Periudhën e pushimeve sivjet po e kalojmë në forma të ndryshme. Disa po punojmë, disa po argëtohen duke kërkuar zgjedhje, disa po “brengosen” për zgjedhjen e Presidentit në fillim të vitit të ardhshëm, disa po e kërcënojnë shtetin dhe udhëheqësit shtetëror (por edhe familjet e tyre) me shënjimin e kufijve dhe me Asociacionin e Komunave, disa po shprehin shqetësimet për ardhmërinë e Forcave të Armatosura të Kosovës e disa po lahen në det.
Unë shoh vetëm një zgjidhje: Qeveria do të vazhdojë të punojë me ngulm për realizimin e Programit të saj, që është shumë i mirë . Askush askënd nuk do ta pengoj që të bëjë prova dhe ushtrime për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në vitin 2018. Z. Thaçi do të bëhet President i Republikës së Kosovës, ashtu siç e kemi përcaktuar me marrëveshje. Askush nuk do ta falë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës dhe as nuk do të marrë nga toka e huaj dhe nuk do t’i epet askujt hapësirë që ta rrezikojë shtetin, institucionet shtetërore dhe pronën private.
Ushtrinë e kemi, sido që ia vemi emrin, forca është kjo që e kemi si FSK, andaj edhe ata që dëshirojnë ta pengojnë edhe ata që dëshirojë t’ia ndryshojnë emrin ashtu siç e kemi propozuar, duhet ta kenë të qartë se Kosova e ka forcën e vet. Prandaj, të punojmë, të flemë dhe të pushojmë rehat, sepse përgjegjësitë për këtë shtet nuk i kemi marrë për mahi. IM”. /Gazeta Tribuna/