Në kohën kur shumë gjëra në raportet e Kosovës me Serbinë kanë mbetur të pasqaruara, dhe kur Serbia pret që t’i mundësohet hapja e kapitullit të parë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, për çka Gjermania dhe Britania e Madhe mendojnë se ende nuk janë përmbushur kushtet, një takim i ri i dy kryeministrave do të mund të zhvillohet të martën në mbrëmje në Bruksel.
Një takim i tillë, besojnë diplomatët evropianë, do të mund të ndihmonte në ecjen përpara të implementimit të marrëveshjeve të arritura më parë dhe përparimin në normalizimin e raporteve, shkruan sot Koha Ditore.
“Pa një përparim Serbia nuk mund të hapë kapitullin e parë të negociatave ndërkohë që edhe Kosova është në pritje të vendimit për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Pra, të dyja palët kanë interes për vazhdim të dialogut dhe për të dëshmuar përkushtimin e tyre”, i ka thënë “Kohës Ditore” një zyrtar i BE-së në Bruksel.




















