Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, është treguar kritik ndaj disa moderatorëve televizivë dhe analistëve duke thënë se po aminostojnë shtetin pas agresionit të Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, ku në Banjskë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Ai ka thënë se mediat duhet të reformohen dhe të kenë parasysh se Serbia brenda natës mund të prodhojë banditë sikur Milan Radojiçiqi apo Arkani.
“Mediat tona-reformat. Me 24 Shtator 2023, Kosova është sulmuar tinëzisht nga Serbia duke përgatitur grupin kriminal, terrorist, duke i trajnuar dhe u drejtuar nga vet shteti. E gjitha tani është faktuar nga vet ata, nga ndërkombëtarët dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës edhe me dokumente publike materiale, pamore (videoincizime) dhe ideore. Moderatorët bashkë me analistët, nëpër studiot televizive në Kosovën tonë po e amnistojnë shtetin dhe po drejtojnë gishtin kah individët banditë. Duhet ndryshuar diçka në mediat tona, ata duhet të dinë qe shteti i Serbisë mundet brenda natës të prodhojë banditë sikur Radojqiq, Arkani apo kriminelë të tjerë”, ka shkruar ai në Facebook.