Musliu: T’i ulim shpatat partiake dhe t’i mprehim ato kombëtare e patriotike

E publikuar: 10/11/2020 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mungesa e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtje, për shkak se të njëjtit i është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara, mbledhja e sotme e këtij komisioni është shtyrë për një ditë tjetër. Kjo kërkesë u bë në shenjë solidariteti ndaj deputetit Rexhepi.

Ishte deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, e cila ka propozuar një gjë të tillë, e që ka gjetur mbështetjen edhe të anëtarëve të tjerë të komisionit.

Ajo kërkoi që mbledhja të shtyhet në shenjë solidariteti me anëtarin e komisionit Rexhep Selimi dhe të gjithë ushtarëve të UÇK-së, të cilët tha se padrejtësisht janë në një vend ku duhet të ishin ata që vërtetë kanë bërë krime.

Musliu: Kjo mbledhje të shtyhet si solidarizim me anëtarin e komisionit Rexhep Selimi

Video

“Pavarësisht që Rexhep Selimi nuk i takon PDK-së ai i takon Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe unë e kam thënë disa herë që çlirimtarët nuk kanë parti, kanë atdhe mbi të gjitha. Unë sot mendoj si shtet dhe si përfaqësues të popullit sot është nevoja më shumë se kurrë që t’i ulim shpatat partiake dhe t’i ngrisim ato kombëtare dhe atdhetare. Meqë sot nuk kemi në rend të ditës ndonjë pikë të veçantë e cila do të ndikonte direkt në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës unë propozoj që kjo mbledhje të shtyhet për një ditë tjetër si solidarizim me anëtarin e komisionit Rexhep Selimi dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët padrejtësisht sot nuk janë në mesin tonë dhe janë në një vend ku do të duhej të ishin ata që vërtetë kanë bërë krime, ata të cilët vërtetë kanë bërë gjenocid në Kosovë”, tha ajo.

Kërkesën e deputetes Musliu e ka përkrahur edhe kryetarja e komisionit Fatmire Kollçaku, e cila tha se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e kjo sipas saj do të dëshmohet edhe në Hagë.

Kollçaku: Shumë anëtarë të UÇK-së sot përballen në një gjykatë të padrejtë në Hagë

Video

“Shumë anëtarë të UÇK-së sot përballen në një gjykatë të padrejtë në Hagë, ne të gjithë e dimë se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës në krye me UÇK-në ka qenë e drejtë dhe ne jemi të bindur që kjo do të dëshmohet atje dhe do të kthehen sa më shpejtë në Kosovë… Institucionet duhet të jenë shumë të fuqishme këto ditë të veprojnë dhe të tregojnë që ne jemi një popull shtet-formues që e kemi krijuar një shtet i dalë nga një luftë e përgjakshme, ku kurrë nuk guxon të përzihet agresori dhe viktima dhe ne do të dëshmojmë që do të jemi në nivel të detyrës”, tha ajo.

Në rend të ditës komisioni ka pasur shqyrtimin e raportit të Ministrisë së Mbrojtjes, rreth zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019 dhe të gjeturat e raportit për vendin të Komisionit Evropian për vitin 2020 në fushën e sigurisë./M.Duraku/