Rreziku për përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës mbetet i madh, veçmas këtë të diele kur mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe. Lista Serbe i ka bojkotuar këto zgjedhje, derisa ka bërë thirrje për bojkot nga të gjithë serbët, teksa kërcënimet e grupeve kriminale për të gjithë ata që kanë shprehur vullnet për të dalë në kutitë e votimit sa vjen e shtohet.
Eksperti i sigurisë Agim Musliu në një intervistë për transmetuesin publik, ka thënë se që nga fillimi i krijimit të saj, Lista Serbe, e ka luajtur rolin e Kalit të Trojës dhe e ka qëllimin për të qenë destruktive në raport me institucionet e Kosovës.
Ai ka thënë se Lista Serbe është në shërbim të Vuçiqit dhe krahut të Putinit, por ka thënë se ajo është vetëm ndërmjetësuese e klanit kriminal të Milan Radojçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit.
“…më shumë bëjnë presion grupet kriminale sepse nuk kanë asnjë obligim ligjor ndaj qytetarëve por kanë vetëm obligim ndaj urdhërdhënësit të tyre Vuçiq, i cili më pas i shpërblen me para. Presidenti serb haptas e mbron klanin kriminal të Radojqiqit dhe Vesilinoviqit që janë të shpallur edhe nga SHBA personalitete në kërkim. Këta dy kryekriminelë janë urdhërkryerës të Vuçiqit në terren. Së fundmi janë shpërblyer me 960 milionë euro tender me ndërtimin e rrugëve brenda Serbisë, por si kundërshpërblim duhet të kryejnë obligimet e veta në terren e sidomos në Kosovë, që të mos lejojnë daljen e njerëzve në zgjedhjet në veri. Lista Serbe është vetëm ndërmjetësues ndërmjet klanit kriminel dhe Vuçiqit në planin politik”, ka theksuar Musliu.
Ai ka thënë se institucionet e sigurisë janë të cunguara shumë në veprim nga presionet nga jashtë, për shkak të një procesi politik që ka filluar që një kohë. “Në asnjë rrethanë nuk pritet që ne të veprojmë si këta, sepse ne jemi shtet. Ne nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes të marrim masa radikale. Duhet të marrim masa aq sa na duhet për të parandaluar një fenomen negativ apo kundërligjor, jo më tepër”, ka shtuar Musliu.
Ai ka thënë se Radojçiq e Veselinoviq nuk mund të sillen lirshëm në veri, por munden që në periudha të shkurta kohore në bashkëpunim me grupet lokale atje të hyjnë nga rrugë dytësore, por më pas të tërhiqen sërish në hotelet e tyre luksoze në Kopaonik.
Sa i përket zgjedhjeve të së dielës ai ka thënë se grupet kriminale atje mund të përgatisin skenar të ndryshëm, qoftë ndonjë protestë, bllokadë apo edhe ndonjë veprim më të dhunshëm. Tutje Musliu ka thënë se qytetarët serbë në veri nuk kanë frikë nga shqiptarët, por nga grupet kriminale serbe.
“Ka të tillë që e kanë guximin të dalin në zgjedhje dhe sigurisht se do të dalin, por mendoj se ata do të ballafaqohen sërish me dhunën. Këto banda kriminale po thuajse e kontrollojnë jetën në tërësi atje. Kur bie terri as komshiu te komshiu nuk guxon të hyjë në oborr sepse mund të vritet. Pra aq shumë janë të frikësuar njerëzit atje. Nuk janë të frikësuar nga ne por nga këto banda kriminale”, është shprehur Musliu.
Ai ka thënë se në kohën e barrikadave në veri kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të grupit Wagner, por tani nuk dihet nëse janë ende atje.
“Për momentin nuk kam informata se janë këndej. Për disa formacione tjera si Brigada e Veriut dhe grupe tjera kriminale kemi informata, por për grupin Wagner në kohën e barrikadave kanë qenë prezentë”, ka thënë tutje Musliu