Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i ka reaguar ashpër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, lidhur me deklaratën e saj të sotme për Rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, që miratoi dje Kuvendi i Shqipërisë, duke e quajtur “të vockël në shpirt e mendje”.
Osmani deklaroi se s’mund të pritet një përshëndetje speciale për një zhvillim të tillë, meqë siç tha ajo, qëndrimi i Kosovës për pastërtinë e luftës së UÇK-së është i përditshëm.
Nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë, sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare është i çdoditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën, është në çdo frymarrje tonën dhe çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën përpara, ne e nderojmë secilin çlirimtare. Prandaj qoftë rezolutat që miratohen në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ne vazhdimisht e kemi konfirmuar një të vërtetë e cila asnjëherë nuk do të mund të ndryshohet nga askush, pavarësisht nga përpjekjet e Serbisë dhe aleatëve të saj. E vërteta është kjo. Serbia ka qenë agresori, Kosova ka qenë viktimë e një regjimi gjenocidal, UCK-ja e ka mbrojtur popullin e Kosovës dhe ka luftuar për lirinë e vendit tonë”, ka thënë Osmani.
Për këtë deklaratë, Musliu e ka quajtur Osmanin “vegël të Albinit” dhe “robëreshë të Prindonit”, raporton Express.
“Sepse Ti, Vjosa Osmani, dhe garda e injorantëve që sot po udhëhiqni vendin tonë, nuk keni guxim dhe nuk keni njerëzi as ta falënderoni Kuvendin e Shqipërisë që bëri atë që do duhej ta bënim ne. Sa e vockël je në shpirte dhe në mendje! Vegël e Albinit! Robëreshë e Prindonit!”, ka shkruar Musliu.
Ajo i ka drejtuar edhe disa pyetje Osmanit.
“Vjosa, në përpjekjen e saj për të arsyetuar gjendjen komatoze të institucioneve tona, thotë: ”Kuvendi i Shqipërisë e ka shprehur atë që secili shqiptar në Kosovë e Shqipëri e ka thënë deri sot se lufta e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush. Sepse historinë nuk do të mund ta zhbëjë askush“. Atëherë, Vjosë, pyetja që do të duhej të drejtohej Ty duhet të ishte: A je ti shqiptare Vjosa Osmani? Sepse ti je ajo që gjithë karrierën tënde e ke ngritur duke e mohuar këtë histori; së fundmi edhe në ditën e Pavarësisë së Kosovës. Dhe, meqenëse po besoni aq fort në këtë pastërti, pse nuk iu drejtove qoftë vetëm njëherë Kuvendit të Kosovës për këtë çështje?”, ka shkruar Musliu.
Postimi i saj i plotë:
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht rezolutën kundër pretendimeve të Dick Martyt.
Presidentja e Kosovös thotë: Pse t´iu themi faleminderit?
Përgjigja e Vjosa Osmanit, në pyetjen e gazetarëve se përse nuk e kishte përshëndetur rezolutën e votuar në Kuvendin e Shqipërisë, e shpërfaqë edhe njëherë mjerimin institucional që e ka kapluar Presidencën, Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Vjosa Osmani tentoi që t´iu sugjeronte gazetarëve dhe opinionit publik besimin e tyre në pastërtinë e luftës së UÇK-së. Ajo pa u skuqur fare, harroi deklaratat e saj dhe të partnerëve të saj politikë të cilët për një dekadë rresht janë vërsulur mbi çdo vlerë të luftës, kanë akuzuar dhe kanë deponuar dëshmi kundër bartësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot si bartës të institucioneve kanë zgjedhur të heshtin sepse po u ditka se në çdo frymëmarrje besojnë „në një të vërtetë: Serbia paska qenë agresori“. E megjithatë ajo „viktima e një regjimi gjenocidial“ siç deklaron kjo e vogël, sot Kosova po ballafaqohet me një gjykim politik të padrejtë dhe të pabarabartë.
Për një vit e gjysmë bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk patën guxim të bëjnë zë. As atëherë kur doli sheshit qëllimi i gjykatës dhe donatorët e saj. As atëherë kur Ushtria jonë çlirimtare u quajt „organizatë e përbashkët kriminale“, as atëherë kur u dokumentuan shkeljet e të drejtave të njeriut nga prokurori. Reagimet dhe veprimet e institucioneve të Kosovës ishin dhe janë zero.
Vjosa, në përpjekjen e saj për të arsyetuar gjendjen komatoze të institucioneve tona, thotë: ”Kuvendi i Shqipërisë e ka shprehur atë që secili shqiptar në Kosovë e Shqipëri e ka thënë deri sot se lufta e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush. Sepse historinë nuk do të mund ta zhbëjë askush“. Atëherë, Vjosë, pyetja që do të duhej të drejtohej Ty duhet të ishte: A je ti shqiptare Vjosa Osmani? Sepse ti je ajo që gjithë karrierën tënde e ke ngritur duke e mohuar këtë histori; së fundmi edhe në ditën e Pavarësisë së Kosovës. Dhe, meqenëse po besoni aq fort në këtë pastërti, pse nuk iu drejtove qoftë vetëm njëherë Kuvendit të Kosovës për këtë çështje?
Sepse Ti, Vjosa Osmani, dhe garda e injorantëve që sot po udhëhiqni vendin tonë, nuk keni guxim dhe nuk keni njerëzi as ta falënderoni Kuvendin e Shqipërisë që bëri atë që do duhej ta bënim ne.
Sa e vockël je në shpirte dhe në mendje! Vegël e Albinit! Robëreshë e Prindonit!