Është rritur pakënaqësia e qytetarëve të Kosovës me Qeverinë Kurti. Këtë e ka treguar edicionin e 23-të i Pulsit Publik të UNDP-së në Kosovë.
Sipas këtij pulsi, niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv ka rënë për disa pikë në krahasim me prillin e vitit të kaluar.
“Në anketën e opinionit tetor-nëntor 2022, niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41%, një rënie për 6.2 pikë përqindjeje nga anketa e prillit 2022 kur ishte 47.2%. Niveli i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit kapi vlerën prej 44.9%, një rënie për 7.7 pikë përqindje nga prilli 2022 kur ishte 52.6%”, është thënë në komunikatën e UNDP-së.
Rreth kësaj ka reaguar analisti Imer Mushkolaj, i cili ka thënë se po çuditet që 44.9% është kënaqeshmeria e qytetarëve me Kurti, dhe i njëjti e ka vlerësuar si shifër të lartë.
“44.9% kënaqshmëria e qytetarëve me punën e kryeministrit. Po çuditna pse kjo shifër kaq e lartë. Unë veç punë n’terren s’po shoh”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.