Murati thotë se ka rritje të projekteve kapitale, fajëson procedurat për vonesa

E publikuar: 05/06/2023 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ka një ritëm përshpejtues në projektet kapitale, teksa fajin për asnjë projekt të ri në tre mujorin e parë të vitit ia ka lënë procedurave, raporton Ekonomia Online.

Murati tha se për projektet infrastrukturore “çështja ka të bëjë më kushtet e kohës”. Mirëpo, sipas tij ka një rritje të projekteve kapitale rreth 50-60 për qind.

“Tre mujorin e parë nuk ka pasur projekte te reja sepse nuk mund të zhvillohen procedurat. Ka procedura, deri të bëhet tenderi, të nënshkruhet kontrata, shkon tre mujori i parë. Për projekte ekzistuese, sidomos ato infrastrukturore, çështja ka të bëjë më kushtet e kohës. Kushte ambientale të cilët shpeshherë pamundësojnë që të kryhet punë në tre mujorin e parë”.

“Megjithatë trendi është rritës dhe ka shpenzime. Nëse nuk gaboj është rritje diku 50 apo 60 për qind, tash aktualisht teksa po flas. Nuk e di saktë për tre mujorin e fundit por jemi diku 60% më shumë se sa viti paraprak, periudha e njëjtë. Pra, ka ritëm më të përshpejtuar dhe po besoj që deri në fund vit do të kemi një realizim shumë më të mirë”, tha Murati.

“Duhet ta kujtojmë që viteve paraprake, siç edhe e kam sqaruar disa herë, ka qenë një projekt, kryesisht autostrada që ka marrë 200 milionë euro në vit, pjesa tjetër kurrë nuk e kaluar 300 milionëshin, si shpenzim vjetor. Vitin e kaluar kemi pasur 420 milionë euro investime kapitale që përafërsisht i vije diku gati 5% e GDP-së, që besoj që është në linjë në trendin e rajonit që sillet 4 deri 7% e GDP-së”.

I pyetur rreth deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, i cili në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere i tha ministrit  se vazhdimisht po i sulmon deputetët (teksa diskutohej për numrin e këshilltarëve politikë), ai tha se Rrahmani vetëm e ka sqaruar punën e numrit të këshilltarëve dhe asistentëve.

“Nuk ishte debat, kishte një deklarim nga deputeti Rrahmani që e sqaroi punën edhe të asistentëve edhe të këshilltarëve. Besoj që ato të gjitha ato mund ti verifikoni, sa numër të këshilltarëve kemi. Unë numrin e këshilltarëve e kam më të ultë sesa që më lejohet. Nuk është se kam plotësuar gjithë stafin sa i përket numrit të këshilltarëve. Është e rëndësishme që Kuvendi ta ketë dhe ta jap mbështetjen ndaj qeverisë në mënyrë që të shtyhen politikat përpara. E kemi parë, qoftë me ligjet e kalaur, qoftë me ligjin për mbështetjen e punëve publike, qoftë ne marrëveshje ndërkombëtare, se si po vonohen, kjo pastaj kushton për qytetarin. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të duhej që të vonoheshin, do të duhej që të votohen siç edhe janë votuar çdo herë”, tha Murati.

Teksa, për të hyrat vetanake, Murati ka thënë se në mbledhjen e radhës do të korrigjohet amendamenti i gabuar rreth kësaj çështje, teksa ka komentuar edhe disa deklarata të “rreme” se komunat nuk i kanë marrë këto të hyra, ku i kanë mbi 50 milion euro në dispozicion.

Murati ka bërë edhe një krahasim mes buxhetit të komunave të Kosovës për vitin e ardhshëm me ato të Shqipërisë.

“Ne do ta procedojmë në mbledhje e radhës të qeverisë projektligjin e ndryshuar dhe të plotësuar në mënyrë që të shtohet, pra të korrigjohet ai amendamenti i gabuar që është bërë fatkeqësisht dhe të sigurohemi që do t’i kenë të hyrat vetanake. Megjithatë bëhet fjalë për të hyrat vetanke të viteve 2021 me herët, të hyrat vetanake të viti 2022 tashmë i kanë komunat. Ato komuna që i kanë votuar në kuvende komunale, mbi 50 milion euro i kanë në dispozicion”.

“Buxheti i komunave për vitin e ardhshëm është paraparë që të jetë diku 740 milion euro. Buxheti komunal i komunave në Shqipëri, që është më shumë se dyfishi i numrit të komunave këtu, është 850 milion euro. Vetëm këtë krahasoni, 740 me 850, kur atje është dyfishi, nuk bëhet fjalë për bllokim apo për ndalje të buxhetit të komunave. Përkundrazi, siç kemi thënë edhe me herët dhe i keni parë, vitin e kaluar ka pasur deklarim që patën thënë komunat se Qeveria do të na lejë pa buxhet. Në gusht ka qenë ky deklarim i Asociacioni të Komunave të Kosovës e që doli e pavërtetë. Në vazhdimësi ka këso pretendimesh që në fund po rezultojnë të pavërteta”, ka thënë ai.