“Murati s’po më përgjigjet”, Rama i drejton kërkesë Kurtit për buxhet

E publikuar: 19/11/2025 21:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka një kohë që po e akuzon qeverinë në detyrë, gjegjësisht ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, që po ia bllokon mjetet buxhetore.

Të mërkurën, ai tha se Murati nuk po i kthen përgjigje, prandaj theksoi se po i drejtohet tash kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në një postim në Facebook, Rama tha se mungesa e përgjigjes dhe veprimeve ka krijuar një bllokadë që po rrezikon funksionimin e shërbimeve publike në Kryeqytet!

“Kërkesë urgjente për Kryeministrin në detyrë! Përkundër shumë kërkesave drejtuar Ministrisë së Financave, mungesa e përgjigjes dhe veprimeve ka krijuar një bllokadë që po rrezikon funksionimin e shërbimeve publike në Kryeqytet”, shkroi Rama.

Kërkesat, ai tha se janë të qarta dhe të bazuara në ligj, e që janë: “Alokimi i plotë i të hyrave vetanake dhe zbatimi i vlerave të miratuara për Ndarjen Buxhetore 2025”.

“Është e papranueshme që qytetarët të bëhen peng i dinamikave politike. Përgjegjshmëria institucionale kërkon veprim të menjëhershëm”, u shpreh kreu i Kryeqytetit.