Bashkatdhetarët i janë përgjigjur pozitivisht procesit të regjistrimit të diasporës në kuadër të fushatës “Ti je pjesë e atdheut”.
Bartësja e këtij procesi, Ministria e Diasporës, e vlerëson si të suksesshëm fillimin dhe pret që regjistrimi të vazhdojë me ritëm të përafërt.
“Ti je pjesë e atdheut”, si fushatë ka nisur para një muaji dhe që nga atëherë një numër i konsiderueshëm i diasporës është regjistruar.
Kjo fushatë do të vazhdojë deri në fund të vitit të ardhshëm, kurse rezultatet do të dalin në fillim të vitit 2017. Mirëpo, sipas Ministrit, në këtë fazë nuk mund të japë shifra të sakta sa bashkatdhetarë janë regjistruar.
Por, pavarësisht shumë aktiviteteve që i ka organizuar Ministria e Diasporës në bashkëpunim me komunat, ka nga bashkatdhetarët që nuk janë fare të informuar për këtë proces.
Shumë prej bashkatdhetarëve, prapa kamerës janë ankuar se shteti i Kosovës nuk po bën edhe aq për diasporën, përcjell koha.net.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, ndër të tjerash i fton të gjithë bashkatdhetarët që t’i bashkohen kësaj fushate ndërsa të rinjtë i fton që t’i përgjigjen regjistrimit online.




















