Murati: Opozita s’po i voton marrëveshjet ndërkombëtare, po mendon se po i bën dëm qeverisë

E publikuar: 08/01/2025 17:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka folur për marrëveshjet ndërkombëtare, gjë për të cilën ai ka thënë se përveç pozitës, nevojiten edhe ato të opozitës që ato të kalojnë në Kuvend.

Ministri Murati tha se kjo legjislaturë e Kuvendit po e përmbyll mandatin pa i votuar marrëveshjet ndërkombëtare që kanë mbetur.

“Për kalim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota, që nënkupton se përveç votave të pozitës, nevojiten edhe votat e opozitës në mënyrë që të mundësohet kalimi i tyre. Kësaj radhe, megjithëse mandati ishte i plotë, kjo legjislaturë e Kuvendit po e përmbyll mandatin pa i votuar marrëveshjet ndërkombëtare të mbetura”, shkruan Murati në Facebook.

Tutje ai ka përmendur edhe atë me Bankën Botërore që s’është votuar, e cila është në vlerë prej 90 milionë euro, e për të cilën ai thotë se do ta lakmonte secili shtet.

Ai thotë se opozita ka vendosur t’i bëjë opozitë shtetit duke menduar se e dëmton qeverinë.

“Njëra ndër marrëveshjet e mbetura pa votuar është edhe ajo me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që e veçanta e saj është kamata 0% për 12 vite, të cilën do ta lakmonte secili shtet i botës. Mirëpo opozita jonë ka vendosur të mos e votojë, e kësisoj t’i bëjë opozitë shtetit duke menduar që po e dëmton qeverinë. Por qytetarët nuk do ta harrojnë këtë sjellje të opozitës dhe do t’a thonë fjalën e tyre më 9 shkurt”, shkruan Murati në një postim të bërë në Facebook.