Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka ndarë 6 vendimet që u miratuan sot në kuadër të mbledhjes së 136-të të Qeverisë.
Në mesin e këtyre vendimeve është edhe ai për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë, faza VII”, në bashkëpunim me KOSTT dhe KfW, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin e Ngrohtores Solare në Prishtinë, ndarja e mjeteve financiare për gazetarët ukrainas e afgan, e kështu me radhë.
Ky është njoftimi i plotë i Muratit:
Në mbledhjen e 136-të të Qeverisë, e cila përkon edhe me dy vjetorin e mandatit, ndër tjera u miratuan edhe 6 vendime të sponzorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve:
Aprovuam Projektligjin për Ratifikim e Marrëveshjes së Kredisë me KOSTT dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë, faza VII”. Me ketë marrëveshje, Qeveria do të huazoj 25.5 milionë nga KfW e Gjermanisë, të cilat nënhuazohen tek KOSTT për përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë.
Aprovuam Projektligjjn për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin e Ngrohtores Solare në Prishtinë me BERZh në vlerë prej 23.2 milionë. Ky projekt parasheh ndërtimin e impiantit solar me kapacitet 30 MW, për të siguruar zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë për deri në 50 MW. Pjesa tjetër është financim nga grantet nga Qeveria Gjermane dhe BE.
Aprovuam ndarjen e mjeteve në vlerë prej 305 mijë për mbështetjen financiare për gazetarët ukrainas e afgan, të strehuar në Kosovë.
Aprovuam raportin e vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemit të financimit të komunave në Kosovë për vitin 2022. Ky raport paraqet rezultatet e vlerësimit dhe sfidat kryesore të identifikuara nga Komisioni i Granteve, si dhe ofron rekomandime për përmirësime të mëtutjeshme në sistemin e tanishëm të fanancimit komunal.
Aprovuam raportin vjetor financiar për vitin 2022. Ky raport prezanton ekzekutimin e buxhetit nga institucionet e Republikës së Kosovës për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2022, sipas ndarjeve vjetore të Ligjit të Buxhetit.
Ndamë edhe 6 milionë euro tjera për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike, për të mbështetur amvisëritë që kursejnë.