Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nga rritja e pensioneve, do të përfitojnë 304 mijë e 16 qytetarë dhe se kostoja buxhetore është 100 milionë euro shtesë. Rritja e pensioneve nis nga muaji tetor, e ai për kategori të luftës nga janari 2025.
“Është një lajm i mirë për të gjithë pensionmarrësit, sepse rritja do të jetë së paku prej 20 për qind, pra ato pensione që rregullohen sipas skemave dhe ligjit për pensionet e financuara nga shteti, rritja do të fillojë të zbatohet nga ky muaj, pra muajit tetor”.
“Edhe pensioni për kategori të luftës, do të hyjë në fuqi nga janari. Ky numër prek 304 mijë e 16 përfitues. Impakti i tërësishëm buxhetor parashihet të jetë prej 100 milionë euro shtesë”.
Murati ka thënë se për shkak të disa problemeve me kontrata kolektive në disa komuna, qeveria u ka ofruar ndihmë në këtë. Por sipas tij, komunat këtë nuk e kanë shfrytëzuar. Ndër të tjera, Murati thotë se ka pasur kontrata kolektive që janë nënshkruar paligjshëm.
“Në lidhje me kontratën kolektive por edhe të ngjashme, duhet të theksohet mjaftueshëm që buxhetimi për kontrata kolektive duhet të bëhet para se ato të nënshkruhen. Ky është procesi ligjor që duhet ta ndjek secila kontratë kolektive. Pra me problemin që kemi të bëjmë në disa komuna, janë me kontrata kolektive që janë nënshkruar paligjshëm, pa autorizimet e nevojshme. Pra kemi pasur kontrata kolektive që janë nënshkruar në kohë fushate pa kurrfarë financimi”.
“Gjithsesi, ne iu kemi ofruar komunave që të mund të buxhetojnë në një linjë tjetër, që quhet rezerva. Megjithatë nuk ka pasur komuna që e kanë shfrytëzuar këtë mundësi”.