Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk pret zgjedhje të reja në këtë kohë.Ndërsa sa i përket Asociacionit, Murati tha se kryeministri Albin Kurti nuk do ta zbatojë marrëveshjen sidomos nëse nuk ka njohje.
“Unë nuk pres zgjedhje dhe ne është mirë të krijojmë situatë të tillë që qeveritë ta kryejnë mandatin e tyre dhe të mos kemi ndërprerje të tilla sepse kjo nuk është mire as për institucionet as për funksionimin e tyre as për mirëqenien e qytetarëve. Sa i përket çështjes së asociacionit është një çështje shumë e ndjeshme dhe ka filluar të diskutohet në bisedime qoftë ato që i kishim tash publike”.
“Për aq sa unë e njoh politikën e Kurtit nuk besoj që ai do ta zbatojë Asociacionin e sidomos jo nëse kjo nënkupton vetëm realizim të një marrëveshje dhe Asociacioni vjen pa njohje sepse realisht kjo është qëndrimi i deritanishëm se duhet të realizohen marrëveshjet. Kurti e ka futur veten në këtë situatë ku ka filluar të zbatojë marrëveshje të mëhershme dhe tash po i vjen rendi Asociacionit”, tha Murati.
Sipas Muratit dialogu me Serbinë ishte prioritet i shtatë të Qeverisë Kurti ndërsa tani është ndër prioritet kryesore.
Ai foli edhe për çështjen e personave të zhdukur, duke shtuar se kjo çështje ka mbetur peng ende, raporton EO.
Madje ai thotë se çështja e dëmshpërblimeve duhet të shihet në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme.
“Kurti ka thënë që dialogu është prioritet i shtatë dhe tash po e shohim se është ndër prioritet kryesore të qeverisë sepse është prioritet që nuk varet vetëm nga ne ashtu siç e thoshte letra e presidentit Macron dhe Sholz sepse dialogu është edhe çështje e sigurisë rajonale dhe kjo implikon edhe sigurinë evropiane. Në këtë drejtim është e qartë që dialogu është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Nëse Kurti dëshiron t’i ikë presionit për implementimin Asociacionin dhe qasjes që të merret në bisedime vetëm për Kosovën ai duhet ta shtrojë me forcë çështjen e Luginës në bisedime dhe të kërkojë që me reciprocitet të zgjidhen këto probleme”.
“Ç’kado që kërkon Serbia për serbët në veriun e Kosovës të ofrohet edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore. Ne e dimë që çështja e personave të zhdukur në lufte ka mbetur çështje e formulimit mes dy palëve. Është dakordim që kjo të ketë një marrëveshje. Dhe ka mbetur peng moszgjidhja e këtij problemi ne kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi. Por besoj që qasja e duhur është që kjo të shtyhet dhe më shumë sesa një çështje politike të trajtohet si çështje humanitare mes dy vendeve. Çështja e dëmshpërblimeve duhet të shihet në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme”, tha ai.