Murati kërkon miratimin e projektligjit që i hap rrugë rritjes së pagës minimale

E publikuar: 13/05/2022 12:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka kërkuar miratimin e projektligjit që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Ministri tha se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, krijon qartësi juridike dhe parasheh eliminimin e çfarëdo dykuptimësie për rritjen e pagës minimale.

Ai tha se përmes këtij projektligji do të lirohen nga tatimi niveli i pagës minimale nën 250 euro.

“Projektligji ka qëllim fillimisht të krijojë qartësi juridike sa i përket shumës së beneficioneve, apo kompensimeve të cilat ndërlidhen me pagën minimale. Parasheh eliminimin e çfarëdo ambiguiteti apo dy kuptimësitë në mënyrë që të kemi siguri juridike që të lëvizin me pagën minimale.

Së dyti projektligji parasheh edhe lirimin nga tatimi për pjesën e pagës minimale deri në nivelin e 250 euro parashihet që të rritet pragu tatimor me zero përqind, pra që nuk tatohet.

Së treti ky projektligj e ndryshon edhe procedurën se vihet te paga minimale në mënyrë kur kemi ngërçe në Këshillin Ekonomik-Social, siç e kemi tash, kur anëtarët nuk mund të dakordohen dhe arrijnë konsensus. Plotësim-ndryshimi i ligjit parasheh se kjo mund të bëhet edhe me propozimin e ministrit të Financave në mënyrë që rritja e pagës minimale të bllokohet nga ndonjë partner social… Ky është momenti i duhur, marrë parasysh edhe gjendjen e vështirësuar ekonomike të qytetarëve edhe çmimet e rritura është e udhës që të votohet dhe ecet para me këtë projektligj që të hapet rruga për rritjen e pagës minimale”, tha ai.

Edhe Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) bëri thirrje që të votohet projektligji i cili përcakton shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.