Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar të dijë nëse Ymer Ymeri nga Këshilli grevist ka ndonjë afrim me ndonjë parti.
Ai në mbledhjen e komisionit parlamentar për Arsim shtoi se për të është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike.
“Kisha disa pyetje për disa anëtarët sepse është raportuar se është i afërt me disa parti politike”.
Mirëpo kryetarja e komisionit Albena Reshitaj e ka ndërprerë duke i kërkuar që të arsyetojë implikimet buxhetore për të arritur një marrëveshje me SBASHK-un.
Ndërkaq Ymer Ymeri nga SBASHK-u i përgjigjet që ka dalë në Vetëvendosje qe dy ditë.
“Qe dy ditë në Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri.
Ymer shtoi se mënyra se si po diskuton ministri i Financave, Hekuran Murati, tregon se ai nuk është nuk i interesuar për të arritur marrëveshje për të dalë nga greva.
“Është e vërtetë që hala pa dal ju me 50 euroshin na e kemi pyetur anëtarësinë, e anëtarësia na ka thënë ‘Jo’. Ki qëllim mos me arrit marrëveshje. Nuk kemi thënë që do të qëndrojmë në grevë deri në miratimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Ligji për Sigurime Shëndetësore thotë që deri në fund të vitit 2022 të miratohet ndryshimi i Ligjit për Sigurimit Shëndetësore ose në të kundërtën të filloj zbatimi aktual i Ligjit për Sigurime Shëndetësore nga janari i vitit 2021”, ka thënë Ymeri.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati i është drejtuar ministrit Murati duke i thënë se ka ardhur në mbledhje si kalamaj i çerdhes.
Reagimi i tij ka ardhur pasi që ministri ka thënë nuk e di pse opozita po ndihet në siklet kur po i pyet nëse anëtarët e SBASHK-ut janë të afërt me subjekte politike.
Në mbledhjen e komisionit kanë ardhur edhe deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj nuk po merr pjesë.