Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe guvernatori i Banksës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili janë takuar në SHBA me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), David Amaglobeli dhe bashkëpunëtorë të tij.
Ministria e Financave dhe Transfereve tha se Murati prezantoi në atë takim “disa nga indikatorët ekonomikë dhe progresin që ka arritur Kosova”.
Ndër të tjera, Ministri Murati përmendi edhe nivelin e ulët të borxhit publik. Nga ana e tij, Amaglobeli përgëzoi Kosovën për performancën e mirë makroekonomike, që reflektohet me rritje të ekonomisë përtej parashikimeve fillestare, dhe me shkallë inflacioni të ulët, e cila në shtator shënoi 0.4% Palët vijuan diskutimet rreth projekteve dhe programeve aktuale, siç janë: Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF) me Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe përmbushjen e rekomandimeve që derivojnë nga këto programe”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
MFT tha se “palët vijuan takimin duke diskutuar mundësitë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen”.
Banka Qendrore, ndërkaq, tha se guvernatori e informoi përfaqësuesin e FMN-së për “zhvillimet kryesore në sektorin financiar, zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së dhe reformat e tjera të ndërmarra”, të cilat u tha se “kanë kontribuar në stabilitetin dhe integritetin e sistemit financiar”.
“Duke theksuar rolin vendimtar të FMN-së, Guvernatori Ismaili theksoi mbështetjen e dhënë BQK-së nga FMN-ja në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale dhe zbatimin me sukses të rekomandimeve nga misionet e FMN-së. Gjithashtu, u diskutua për nivelin e zbatimit të kënaqshëm të Programeve që Republika e Kosovës ka të nënshkruara me FMN, ku edhe BQK ka rolin e saj dhe ka përmbushur me sukses ato detyra. Në këtë takim, u ritheksua zotimi për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me qëllim të zbatim me sukses të projekteve të FMN-së që kanë ndikim pozitiv drejtpërdrejt në sektorin financiar dhe gjithë ekonominë e vendit”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
BQK-ja thotë në fund paralajmëroi të tjera “takime bilaterale me drejtuesit e FMN-së dhe BB-së si pjesë e partneritetit të rëndësishëm institucional”.