“Mund të llogarisni në mua”, Michael Roth reagon pas marrjes së Medaljes Presidenciale nga Kosova

E publikuar: 18/03/2025 12:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani dje në Berlin ka dekoruar kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman dhe ish-ministrin, Michael Roth, me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Pas marrjes së kësaj medalje, Roth ka thënë se një Kosovë demokratike dhe e pavarur është interes strategjik i Europës.

Po ashtu, ai iu tha kosovarëve se mund të llogarisin te ai.

“Kosova na takon neve. Dhe Europa i takon Kosovës. Një Kosovë e lirë, demokratike dhe e pavarur në zemër të Europës është në interesin tonë strategjik. Të dashur qytetarë të Kosovës, mund të llogarisni në mua! Miqtë do të jenë miq”, ka shkruar ai.

Gjatë ndarjes së Medaljes Presidencia, Osmani tha se Roth është “një mbrojtës i palëkundur i së ardhmes së Kosovës në BE dhe një zë që ka pasqyruar vazhdimisht aspiratat tona në skenën ndërkombëtare” dhe se medaljen ia ndau si mirënjohjeje nga populli i Kosovës.

Për këtë medalje edhe ambasada gjermane në Kosovë e ka uruar Roth, e cila në urim shkroi se ai ka treguar se është ekspert i rajonit.

“Z.Roth ka dëshmuar vazhdimisht se është ekspert i rajonit dhe mik besnik i Kosovës. Përkushtimi i tij ka qenë evident gjatë gjithë roleve të tij si një parlamentar i zakonshëm, Ministër Shteti në Ministrinë e Jashtme Federale dhe kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut. Kjo njohje pasqyron përkushtimin e tij të palëkundur për të nxitur lidhje të forta dhe mirëkuptim të ndërsjellë midis Gjermanisë dhe  Kosovës”.