Mulliri i vjetër i familjes Gërmizaj, si quhet ndryshe Mulliri i “Tabakhanës” në Prizren, është mulliri i Adem Aga Sokolit, që ishte një pasanik i kohës dhe që në pronësi ka pasur edhe objekte të tjera me vlera të larta arkitektonike, estetike dhe etnologjike.
Mullri është ndërtuar në shek. XVIII dhe është rinovuar disa herë gjatë periudhave të ndryshme kohore. Mulliri ka të gjitha elementet e një mulliri tradicional të Ballkanit. Pra, kemi hyrjen, vendin për kuaj, vendin për drithëra të pa bluara, vendin për drithëra të bluara, dhomën e mullingjisë, kanalin e ujit, etj.
E veçantë është se pos bluarjes, mulliri i ‘Tabakhanes’ kanë shërbyer edhe për shërimin e memecllëkut të fëmijëve.
Ky mulli gjendet brenda kompleksit të tabakëve (përpunuesit të lëkurës) dhe për këtë arsye ka marrë emrin mulliri i tabakhanes. Kompleksi i Tabakhanës gjendet në anën e djathtë të lumit Lumbardhë në mes të xhamisë së Ahmed-beut, Suziut, Mustafa Pashës dhe ndërtesës së Beledijes.
Mulliri i vjetër i “Tabakhanës” ruan pajisje dhe rekuizita origjinale të kohës, njëherësh edhe procesi i bluarjes është tradicional, duke shfrytëzuar fuqinë e ujit për fërkimin e gurëve që bën bluarjen e drithërave.
Nuk duhet harruar se procesi i bluarjes tradicionale është pothuajse e zhdukur fare në këto treva, ndërsa në Prizren është i vetmi mulli që ende funksion.
“Renovimi i këtij mulliri është stimulim për zejet dhe prodhimtarinë tradicionale që dita ditës po shuhet. Duhet të arrijmë që ta mbajmë të funksionuar të vetmin mulli (“Mohikani i fundit”), që është vlerë kulturo-historike e Prizrenit”, thotë drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Kulturore, Samir Hoxha.
“Është karakteristikë e veçantë se Përdrinia ishte dhe vazhdon të mbetet hambar i drithërave, por Prizreni me 17 mullinjtë e vetë ishte një qytet i njohur në gjithë Vilajetin e Kosovës. Mullinjtë shumica e tyre kishin ahurin e bagëtive, pasi që ai shërbente për bartësit e drithit që atëherë ishin i vetmi transport. Derisa shumica e mullinjve kishin odën e mullingjinjëve e njëri prej tyre kishte edhe odën e pritjes.
Mullinjtë për një kohë të gjatë ishin dhe do të mbeten si një shembull më i mirë i civilizimit të arritjeve për ushqimin. Mullinjtë e Prizrenit kanë funksionuar kryesisht fal ujit të Lumëbardhit, kurse mullinjtë në fshatra kanë punuar falë krojeve dhe burimeve të vendeve të ndryshme”.
Maliq Gërmizaj, i biri i Agim Gërmizajt, u shpreh se në këtë mulli pos që ka pasur rëndësi të bluarjes, aty qindra fëmijë janë shëruar tërësisht nga memecllëku i plotë apo edhe nga belbëzimet.