Kërkesa për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti i Kursimeve Pensionale, vazhdon të mbetet temë debati ndërmjet pozitës e opozitës në Kosovë. Kjo temë do të diskutohet edhe të hënën në Kryesinë e Kuvendit. Opozita po vazhdon të kërkojë edhe një pjesë nga fondi, ndërsa partia në pushtet është deklaruar kundër.
Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare nëse deputetët e Kuvendit do t’i mundësojnë qytetarëve tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti.
Opozitarët dhe një pjesë nga komunitetet janë për këtë ndryshim, por kundër është Vetëvendosje si shumicë parlamentare. “Do ta kundërshtojë fuqishëm jo vetëm këtu, po edhe në Kuvend e çdo institucion që është i mundur. Përpjekjet për ta shkatërruar Trustin do të parandalojë në çdo formë për aq sa kam numra e vullnet politik”, tha Armend Muja nga LVV.
Bekim Haxhiu si iniciues i këtij ndryshimi ligjor shpreson se kjo çështje nuk do të prolongohet tutje.
“Projektligji shkon në Kryesi dhe vazhdon për seancë. Besoj se nuk do ta prolongojnë më tutje.Mbeti 50 me 50 në Komision, uroj që ky votim të ndryshojë deri sa të vijë në Kuvend në interes të qytetarëve e deputetët të mos bien pre e ndikimeve politike, por të votojnë për kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”, tha Bekim Haxhiu nga PDK, raporton RTK.
Driton Selmanaj nga LDK thotë se kur një projektligj në seancë shkon me rekomandim të komisionit, votat për të sigurohen më lehtë dhe më zor është kur ai trajtohet pa rekomandim siç është rasti me Trustin. Ai beson se shumica do të reflektojë deri në seancë.
“Nëse në seancë janë përafërsisht 70 deputetë shumica e thjeshtë e tyre që i bie 36 deputetë duhet të votojnë për. Shumica e deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë. Kur ka mbështetjen e komisionit projektligjet kalojnë më lehtë, kur nuk e kanë këtë përkrahje paksa vështirësohet situata.Dua të besoj që deri në seancën kur do të shqyrtohet kjo çështje deputetët do të reflektojnë. Nuk pres nga VV si grup shumë, por nga deputetët individualisht”, tha Selmanaj.
Pak shpresa që ky ligj të kalojë në Kuvend ka Pal Lekaj i AAK-së, nëse ndihmë nuk kanë edhe nga pushteti.
“Unë mendoj që gjasat reale janë minimale që të kalojë ligji meqë është presion i qeverisë tek deputetët e vetë derisa ata nuk votojnë gjasat janë minimale të kalojë ky ligj. Kundër tërheqjes së sërishme të mjeteve nga Trusti është edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha Lekaj.

















