Sa i përket mundësisë që Kurti të themeloi Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se kur dikush vesh petkun e kryetarit apo të kryeministrit, nuk është më ai i njëjti që ka qenë i përfshirë në garë politike.
“Kur është si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si opozitar qëndrimet dhe obligimet janë krejt tjera. Obligimet e tij si opozitë, me obligimet që i ka si kryeministër i Kosovës dallojnë shumë. Kam dëshirë që Kryeministri me qenë në nivel të detyrës. Nuk është më shef i opozitës, por shef i Qeverisë dhe përgjegjësinë e ka shumë më të madhe ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Muhaxheri.
Ai mëtutje shtoi se janë dy parti, VV dhe AAK të cilat që nga viti 2016 e kanë dëmtuar vendin me tema fiktive, me asociacion dhe demarkacion, të cilat i kanë shndërruar në çështje për të mobilizuar masat.
“Ata si kanë ardhur në pushtet e kanë nënshkruar demarkacionin. E kanë ditur se nuk lëviz për asnjë centimetër kufiri me Malin e Zi. I kanë pasur të gjitha dokumentet ende pa ardhur në pushtet, këtu në Kuvend e kanë pasur origjinalin e gjendjes kadastrale me Malin e Zi. Kanë qenë saktë të informuar, por e kanë bërë agjendë politike. Mandej këto agjenda fiktive i marrin në qafë popujt edhe qeveritë për të ardhmen. Prej se ka kalu demarkacioni, askush nuk është marrë më me atë cështje. E njejta gjë do të ndodhë edhe me Asociacionin. Në momentin kur të votohet nga kjo Qeveri ose qeveria tjetër, Asociacioni do të jetë cështje e tejkaluar”, tha Muhaxheri për gazeten Blic.
Sipas tij, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti kanë pasur dy çështje të përbashkëta, të cilat i kanë bashkuara ata në opozitë dhe për të cilat kanë qenë në gjendje të djegin vendin për me ardh në pushtet.
“Tash kanë ardh në pushtet. Sic e ka përbirë ai bretkosën e demarkacionit, këtij tjetri do t’´i bjerë të përbijë bretkosën e Asociacionit. Vetëm varet se sa ka me qenë e madhe dhe qysh ka me përbi, me apo pa ujë”, tha Muhaxheri.