Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, i është kundërpërgjigjur akuzave për keqpërdorime në komunën e tij.
Akuzat e Hysni Selmanajt, Drejtor i suspenduar i Auditimit të Brendshëm në Komunën e Pejës, Muhaxheri i ka quajtur të pabaza dhe madje atë e ka quajtur “zhvatës”.
“Ai ka qenë dhe mbetet zhvatës. Ky na ka shantazhuar vazhdimisht”, ka thënë Muhaxheri në Interaktiv të KTV-së.
Kryetari i Pejës ka thënë se nuk e ka futur në punë asnjë familjar me “të njofshëm”.
“Motra ime është pranuar me konkurs. Në atë konkurs ishin veç tre vetë dhe ashtu ishin rrethanat. Ajo është me master”, ka thënë Muhaxheri, ndërsa ka theksuar se ka edhe katër vëllezër dhe motra tjera që janë me master, por janë të papunë.
Muhaxheri ka thënë se me ardhjen e tij në krye të Pejës, vendi është çkapur.
“Ne e kemi çkapur shtetin. Shteti nuk çkapet me protesta në rrugë, por me bllokimin e njerëzve si ai person”, ka theksuar Muhaxheri.