Muhaxheri nuk komenton për padinë e Haradinajt

E publikuar: 03/11/2015 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, do të paditet nga Ramush Haradinaj për deklaratat e tij të fundit, ku ka shprehur akuza kundër Haradinajt. Megjithatë, Muhaxheri ka vendosur të hesht karshi letrës së dërguar nga avokati i Haradinajt, i cili e ka lajmëruar se për deklaratat e tij do t’i ngritin padi

Gazeta Express ka kontaktuar kryetarin Gazmend Muhaxheri për ta marrë një qëndrim të tij, në lidhje me padinë që pritet ta ngritë avokati Arianit Koci në emër të Ramush Haradinajt.

Durim Sheremeti nga kabineti i Muhaxherit, i ka thënë Express’it se kryetari nuk do të prononcohet për media në lidhje me këtë çështje.

“Kryetari nuk do të prononcohet, sepse nuk ka nevojë për një gjë të tillë”, ka thënë Sheremeti në përgjigjen për Express.

Në letrën që avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci ia ka shkruar Gazment Muhaxherit, thuhet se Muhaxherin do ta padisin për shpifje, pasi që, sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Muhaxheri ka bërë deklarata shpifëse kundër Haradinajt në momente të ndjeshme politike.

Koci i ka bërë thirrje Muhaxherit që të shkojë në Prokurori për ta lajmëruar krimin të cilin e ka pohuar.

Padia do të dorëzohet nesër në Gjykatë.