I ftuar në TV ‘Dukagjini’ në emisionin ‘Dukagjini Sot’, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka rikonfirmuar deklaratën e tij të mëparshme se do mbetet kryetar i Pejës deri në vitin 2054.
Muhaxheri është shprehur kështu duke thënë se kjo përgjigje vlen për opozitën, ndërsa i pyetur se cila është e vërteta e kësaj deklarate me realitetin në faktorin kohë, ai është përgjigjur se nëse do të arrijë që ta përfundoi projektin madhor të teleferikut për Pejën, atëherë ka mundësi të mos kandidohet për mandatin tjetër.
“Ta shohim, nëse teleferikun e bëjmë në këtë mandat, atëherë ndoshta mund të mos kandidohem më”, ka deklaruar Gazmend Muhaxheri.
Në emision ka plasur gallata kur pas kësaj përgjigjeje të Muhaxherit, moderatori ka ftuar opozitën e Pejës që nëse duan ta heqin Muhaxherin për një mandat, atëherë duhet që ta ndihmojnë në realizmin e projektit të teleferikut.
Duke rekapituluar punët që sipas tij janë bërë për Pejën, Muhaxheri e ka cilësuar ekzekutivin e tij si qeveri lokale e kursimeve dhe qeveri e cila ka kryer projekte në dobi të qytetarëve.
“Ne kemi dhënë shembull se si duhet kursyer mjetet edhe duke punuar edhe duke qenë të ngushtuar nga pagesat e disa proceseve gjyqësore”, ka thënë Muhaxheri.
Ai për dallim nga herët e shkuara në kontakt me mediat kësaj radhe ka reflektuar më i relaksuar.
Megjithatë ai është pyetur edhe për raportin e transparencës dhe atë me mediat, për çka është shprehur se mendon se është korrekt me gazetarë.
Për koalicionin lokal LDK–PDK, Muhaxheri është shprehur se formula ka derivuar për një koalicion të tillë meqë me AAK-në ishin në balotazh dhe partner është gjetur PDK-ja.