“Lufta kundër bizneseve tona që e ushqejnë shtetin, e paguajnë policin, mjekun, ushtarin e FSK-së dhe mësuesin, është e papranueshme”.
Kështu është shprehur njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi, shkruan infosot.com
Ai thotë se sulmi ndaj bizneseve dhe çdo politikë anti-biznes e anti-ekonomi është tradhti ndaj interesit publik, Kosovës dhe së ardhmes së saj.
Postimi i tij:
a. Lufta kundër bizneseve tona që e ushqejnë shtetin, e paguajnë policin, mjekun, ushtarin e FSK-së dhe mësuesin, është e papranueshme. Sulmi ndaj bizneseve dhe çdo politikë anti-biznes e anti-ekonomi është tradhti ndaj interesit publik, Kosovës dhe së ardhmes së saj.
b. Fakti që një ligj është aprovuar vite më parë nuk ka asnjë lidhje me mënyrën se si zbatohet ai. Veprimi dhe qëllimi për liberalizimin e tregut është i mirë. Por mënyra si është zbatuar, trajtimi i bizneseve dhe marrja e vendimeve pa konsultime dhe pa transparencë është skandaloze. Kjo nuk ka asnjë lidhje me politika të mira publike apo me qeverisje të mirë. Kjo i ngjan stilit të vendimmarrjes së mafias, monopolit dhe karteleve dhe nuk është në frymën evropiane apo demokratike.
c. Ndryshimet dhe reformat në Kosovë, pavarësisht fushës, duhet të bëhen në dobi të bizneseve dhe qytetarëve. Qeverua ekziston për me i shërbyer bizneseve dhe qytetarëve, përate i marrin taksat dhe pagat si dhe shumë privilegje. Sulmi ndaj tyre dhe krahasimi me kriminelë është një akt i papranueshëm dhe i dëmshëm për vendin.
d. Menaxhimi dhe rregullimi i energjisë në Kosovë ka qenë skandaloz dhe ngre dyshime për veprime kriminale. Nuk janë krijuar kapacitete të reja dhe është rritur ndjeshëm importi. Janë identifikuar pagesa të dyshimta, si ajo deri në 800 euro për bartjen e një MWh energjie, që ka rezultuar të jetë mbi dy milionë për qind më e lartë sesa në rastin e Shqipërisë. I gjithë sektori, përfshirë të gjitha institucionet përgjegjëse, duhet të hetohen dhe të auditohet.
e. Menaxhimi i gabuar dhe rregullimi i dëmshëm i energjisë i ka sjellë dëme të mëdha ekonomisë së vendit. Jo vetëm që bizneset po dhunohen dhe po tentohet me ju imponu fatura ndër më të lartat në Evropë, por edhe inflacioni i shkaktuar ka goditur fuqishëm fuqinë blerëse dhe familjet kosovare. Disa nga këto dëme munden me qenë të pariparueshme.
f. Kosova i ka institucionet publike për me i shërby interesit publik dhe shtetëror. Kjo nënkupton, para së gjithash, shërbimin ndaj bizneseve. Kur institucionet publike veprojnë kundër interesit të bizneseve dhe i sulmojnë ato brutalisht, kjo tregon se kemi një situatë dramatike që kërkon reflektim të thellë. Këto qasje, metoda, politika… veprime duhet të korrigjohen urgjentisht dhe të kthehen në shërbim të vendit, bizneseve dhe qytetarëve. Përdryshe dihet çka ndodhë kur punon dhe sjellë vendime në dëm të interesit publik.


















