Gazetarja gjermane Silke Muhlerr, thotë se quhen ‘muajt Schatzi’, duke iu referuar periudhës kur vendi pret kosovarët që jetojnë në shtetet si Gjermania, Zvicra e Austria, raporton KTV.
Ata zakonisht vijnë me vetura të shtrenjta, që sipas gazetares Muhlerr, admirohen nga kosovarët e varfër.
Pa ndihmat financiare të kosovarëve që punojnë në perëndim, vështirë se do të mbijetohet thuhet më tej, derisa përmenden fakte se si gati çdo i dyti është i papunë, me 70 % të të rinjve pjesë e kësaj kategorie.
Korrupsioni, mbetet një pengesë për investitorët, derisa qeveria në Prishtinë, pak po bënë për të ndryshuar gjendjen, duke theksuar nevojën për reforma urgjente.
“Njerëzit janë të zhgënjyer me këtë rrugë qorre. Ata thjeshtë nuk shohin më perspektivë dhe i mbledhin plaçkat për të ikur,” thotë për gazetën gjermane Eroll Bilibani, drejtori i Dokufest-it.
Mbi 2 miliardë euro ndihmë për zhvillim janë dhënë nga BE-ja, në ndërtimin e shkollave, shtëpive e rrugëve e edhe 650 milionë të tjera do të ndahen deri më 2020, por nuk kanë ndryshuar shumë gjendjen.
Në këtë reportazh të botuar në të përditshmen gjermane “Die Welt”, flitet për arsyet që qojnë deri tek migrimi, e që në Gjermani, vetëm nga janari i këtij viti, 31,400 kosovarë kanë kërkuar azil.
Megjithëse kthimi i tyre në Kosovë është gati 100 % i sigurt pasi që konsiderohet si një shtet i sigurt, krahasuar me Sirinë, prej nga Gjermania gjithashtu është përballur me një fluks emigrantësh, transmeton koha.net.
E për kthimin e azilkërkuesve kosovarë, ka folur edhe kryetari i grupit parlamentar të CDU-së, Volker Kauder, po ashtu për “Die Welt”.
Kauder, një prej njerëzve më të besueshëm të kancelares Merkel, ka kërkuar që procedurat për kthimin e migrantëve pa gjasa për të marrë azil, procedurat e kthimit të mos zgjasin më shumë se një muaj.
Duke iu referuar kërkesave për rregullimin me ligj për plotësimin e kërkesave të tregut të punës, Kauder ka thënë se fillimisht duhet të përkujdesen për fuqinë punëtore të tyre.
”Nuk mund të sillemi sikur një klub i madh futbolli, që nuk llogarit në talentët e saj pasi që preferon të blejë talent nga jashtë, ” citohet të ketë thënë Kauder.