MTI-ja merr masa ndaj një zyrtari si i dyshuar për keqpërdorim të shpërndarjes së licencave

E publikuar: 25/11/2020 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) bën të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat ndaj zyrtarit të MTI-së, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë procesit të shpërndarjes së licencave të disa kompanive private, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të derivateve të naftës.

Në njoftimin e dërguar nga MTI-ja thuhet se rastin e ka proceduar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit.

“Përveç procedimit të lëndës në organet e lartpërmendura, zyrtarit në fjalë i është shqiptuar masa disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, për të mos e penguar procesin e hetimeve të organeve kompetente deri në zbardhjen e plotë të rastit”.

“MTI kërkon nga organet kompetente që ta hetojnë dhe ta ndriçojnë rastin sa më shpejt”, thuhet në njoftim.