Janë të shumta përdorimet e vajit të ullirit, si në kuzhinë, edhe në produktet e bukurisë.
I njohur që në lashtësi si “ari i lëngshëm”, egjiptianët e përdornin vajin e ullirit për të zbutur lëkurën dhe shkëlqyer flokët, ndërsa grekët e lashtë e përdornin në masazhe.
Dhe kjo jo krejt rastësisht. Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se përbërja e yndyrnave të vajit të ullirit është shumë e ngjashme me yndyrën që përmban lëkura e njeriut. Vaji i ullirit është i pasur me polifenole, vitamina E dhe karotenoide, të cilat luftojnë plakjen, duke kundërshtuar veprimin e radikaleve të lira dhe inflamacionet.
Vetitë kurative
Falë yndyrave “të mira” që ka vaji i ullirit këshillohet të përdoret nga personat që kanë probleme kardiovaskulare dhe të kolesterolit. Është shumë i domosdoshëm te fëmijët, pasi ndikon në rritjen trupore të tyre, në formimin e mielinës në tru dhe forcimin e kockave.
Një studim i kryer së fundmi në Spanjë, me rreth 40000 persona të moshës 29-69, gjatë një harku kohor prej 13 vjetësh, tregoi se ata që konsumonin 2 lugë vaj ulliri në ditë, ulnin rrezikun e vdekjes nga shkaqe kardiake me 44 për qind dhe me 26 për qind nga shkaqe të tjera.
Përveçse një produkt lehtësisht i tretshëm, vaji i ullirit njihet për efektin pozitiv që ka në parandalimin e tumoreve, nëse konsumohet përditë.
Gjithashtu, vaji i ullirit redukton rrezikun e diabetit, rregullon tretjen dhe lufton problemet e jashtëqitjes.