Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se Gjykata e Lartë e Beogradit, përkatësisht Departamenti për Krime të Luftës i ka shqiptuar masën e paraburgimit 30 ditë shtetasit të Kosovës Lulzim Halili, i arrestuar nga autoritetet serbe më 22 korrik 2025.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, Lulzim Halili ngarkohet me akuza për “organizimin dhe nxitjen e kryerjes së krimeve të luftës dhe gjenocidit”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Duke qenë se tashmë është konfirmuar se ndaj Halilit është iniciuar procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të paraqesë menjëherë kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Lartë të Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, për ta vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit të kësaj gjykate, ku po mbahet aktualisht.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastin dhe do të mbajë të informuar opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm.


















