Pas shpalljes së ambasadorit shqiptar në Beograd Ilir Boçka persona non grata nga ana e Qeverisë serbe, për shkak të mosparaqitjes së tij për të marrë notën e protestës pas incidentin me futbollistët serbë në Tiranë, ka reaguar zëdhënësi i MPJ-së shqiptare Glevin Dervishi.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimet e autoriteteve serbe, që paragjykojnë vullnetin e mirë e të plotë të Autoriteteve shqiptare për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit dhe ndarjen e sportit nga politika.Komunikimi i papërshtatshëm nga Ministria e Punëve të Jashtme serbe me përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë në Serbi, është një reagim jo-propocional.”
“Reagime të tilla, si dhe leximi arbitrar i imuniteteve dhe privilegjeve të diplomatëve, shkojnë përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe na kujtojnë praktika të tejkaluara,” është shprehur Dervishi.
Ekipi serb ka mbërritur rreth orës 17.50 të së mërkurës, dhe është nisur drejt hotelit Sheraton në Tiranë, ku u akomodua për të vetmen natë të qëndrimit në Shqipëri.
Gjatë rrugës nga Aeroporti i Rinasit në hotel, autobusi ku udhëtonte ekipi serb, u godit me gurë.