Një autobus kosovar u sulmua në autostradë në afërsi të Beogradit.
Askush nga udhëtarët nuk pësoi lëndime, përveç dëmeve që u shkaktuan në xhamin e autobusit, transmeton Klan Kosova.
Udhëtarët në autobusin që po çonte rreth 50 mërgimtarë kosovarë për në Gjermani, thonë se janë me fat që mjeti i fortë, i hedhur qëllimshëm, s’u solli më shumë fatkeqësi.
Për shkak të ngjarjes, këta kanë dhënë deklaratë në policinë serbe, e më pas e kanë vazhduar rrugën.
Kurse nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Klan Kosovën, thanë se kanë pranuar një raport nga zyra ndërlidhëse në Beograd, lidhur me këtë rast.
Sipas tyre, i njëjti është dhe duke analizuar.
”Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në komunikim me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd. Nga kjo zyre kemi pranuar edhe një raport në lidhje me rastin në fjalë, raport ky që është duke u analizuar”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.