Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian tha në një konferencë të rregullt për shtypin të enjten se Kina deri më tani ka ofruar 1.2 miliardë doza vaksinash ose lëndë të para për prodhimin e tyre për më shumë se 100 vende dhe organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, Kina ka dhënë edhe ndihmë me materiale antiepidemike për më shumë se 150 vende dhe 14 organizata ndërkombëtare.
“Kjo nuk është vetëm një dëshmi e fortë e marrëdhënieve miqësore dhe e miqësisë së thellë midis Kinës dhe vendeve të tjera të botës, por edhe një pasqyrim i vërtetë i solidaritetit tonë me të gjitha palët për të kapërcyer vështirësitë. Vendet dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare kanë thenë se vaksinat dhe materialet e dhëna nga Kina janë si ‘shiu në kohën e duhur’, duke luajtur një rol aktiv dhe të rëndësishëm në luftimin e epidemisë dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. “
Në debatin e përgjithshëm të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje se, për t’i trajtuar vaksinat si një produkt publik global dhe për të siguruar që ato të jenë të disponueshme dhe të përballueshme prej vendeve në zhvillim, është e domosdoshme që vaksinat të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme në nivel global.
Lidhur me këtë, zëdhënësi Zhao Lijian theksoi:
“Për sa kohë që epidemia e COVID-19 nuk përfundon brenda një dite, Kina do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër epidemisë dhe përpjekjet e kontributet tona do të vazhdojnë. Ne do të bëjmë çmos për të promovuar qasjen e barabartë lidhur me vaksinat. Gjithashtu, u bëjmë thirrje vendeve që kanë kapacitete të ndërmarrin veprime konkrete për të mbështetur dhe ndihmuar vendet në zhvillim të marrin vaksinat dhe materialet e nevojshme antiepidemike sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kontribuojnë në fitoren sa më parë ndaj epidemisë globale dhe në realizimin e rimëkëmbjes ekonomike.