MPJ-ja ia siguron objektin konsullatës që nuk ekziston

E publikuar: 07/01/2016 09:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krye më vete, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) ka përzgjedhur godinën ku do që ta vendosë misionin e dytë diplomatik në Suedi, përderisa vendet e tjera nordike mbulohen vetëm në nivel jorezident, shkruan sot Koha Ditore.
Veprimin e ka ndërmarrë pa bekimin e presidentes Atifete Jahjaga.
Ministria që drejtohet nga Hashim Thaçi ka negociuar tashmë qiranë e objektit që ndodhet në qytetin e Malmos, e ku do të vendoset konsullata.
Është një objekt me sipërfaqe rreth 180 metra katrorë dhe hapësira do të ndahet me Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi, e që do të zhvendoset aty. Qiraja mujore tejkalon shumën prej 4 mijë eurosh.
Konsullata nuk është themeluar ende. Kushtetuta ia lë Presidentit të vendosë “për formimin e misioneve diplomatike e konsullore të Republikës së Kosovës, në bazë të konsultimit me Kryeministrin”.
Jahjaga nuk ka vendosur ende.
Në Presidencë dhe as në Qeveri nuk kanë folur për inicimin e ndonjë procedure që ka të bëjë me hapjen e misionit të dytë diplomatik në Suedi.