MPJ e Holandës: Ende s’kemi marrë vendim rreth Tribunalit

E publikuar: 11/08/2015 13:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, në një përgjigje për Gazetën Express, ka bërë me dije se ky shtet ende nuk ka marrë vendim nëse do të jetë nikoqir i Gjykatës Speciale e cila do të trajtojë krimet e luftës në Kosovë.
Qeveria holandeze ende nuk ka marrë vendim se a do të jetë vend nikoqir i Tribunalit Special që do të gjykojë krimet e luftës në Kosovë, njofton Gazeta Express.

Jozyrtarisht, tashmë është bërë e ditur se Haga do të jetë vendi ky pritet të gjykohen ish-pjesëtarët e UÇK’së, të cilët dyshohen për krime lufte. Ish-ambasadori i Holandës në Prishtinë, Robert Bosch, kishte thënë se vendi i tij ka vullnet politik që Tribunali të jetë në Hagë dhe se për këtë është duke negociuar me Bashkimin Europian. Por, në Ministrinë e Jashtme të Holandës kanë thënë për Gazetën Express se qeveria e tyre ende nuk ka marrë vendim për këtë.

“Qeveria e Holandës ende nuk ka marrë ndonjë vendim se a do të jetë nikoqire e Tribunalit të përmendur” ka thënë Chris Bakker, zyrtar për informim në MPJ’në e Holandës.

Bakker ka thënë se “si rezultat i kësaj ende nuk mund të japim informacione rreth lokacionit, shpenzimeve apo përzgjedhjes së gjyqtarëve”.

Një zyrtar i Qeverisë së Kosovës ka deklaruar për Gazetën Express, se Ministria e Jashtme e Kosovës do të negociojë me Holandën për funksionalizimin e Tribunalit.

Në përgjigjen për Express, Bakker ka thënë se kur është biseduar për statutin e Gjykatës , në emër të Kosovës ka negociuar Bashkimi Europian.

“Shërbimi për Veprim të Jashtëm Europian (EEAS) ka qenë pala kryesore konsultative për Kosovën sa i përket statutit të Gjykatës” ka thënë Bakker, bën të ditur Gazeta Express.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar javën e kaluar ndryshimet kushtetuese dhe ligjin që i hapë rrugë krijimit të Gjykatës Speciale e cila pritet të vendoset në Hagë ndërkohë që një zyrë do ta ketë edhe në Prishtinë.Gjykata pritet të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Shefi i Zyrës së BE’së Samuel Zbogar ka thënë se Gjykata do të ngris aktakuzat e para nga janari i vitit të ardhshëm.

Ndërkohë që emrat e përfolur që mund të akuzohen janë krerët e UÇK’së që tani janë në nivele të larta të udhëheqjes në Kosovë, njofton Gazeta Express