Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kanë mbajtur një tryezë informuese me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicë e Veriut, në kuadër të fushatës vetëdijësuese për Ligjin për Automjete dhe Ligjin për të Huaj.
Në këtë takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, Shefja e Kabinetit të Ministrit, Jeta Tela, Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, Jetmir Haziri, si dhe zyrtarë të lartë të Policia e Kosovës, përfaqësues të MPB-së dhe organizata joqeveritare.
Shefja e Kabinetit të Ministrit, Jeta Tela, theksoi se qëllimi i tryezës ishte informimi i drejtpërdrejtë i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, lidhur me fushatën informuese që po zhvillon MPB-ja për këto dy ligje.
“Qëllimi i kësaj tryeze është informimi i drejtpërdrejtë i OJQ-ve, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, për fushatën që është duke e zhvilluar Ministria e Punëve të Brendshme për këto dy ligje”, tha Tela.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për ligje që tashmë janë në fuqi prej vitesh, por që institucionet po zhvillojnë fushatë informuese për t’i njoftuar qytetarët dhe të huajt për të drejtat dhe detyrimet e tyre.
“Këto nuk janë ligje të reja, pasi Ligji për të Huaj është në fuqi që nga viti 2013, ndërsa Ligji për Automjete që nga viti 2017. Megjithatë, institucionet janë duke zhvilluar këtë fushatë me qëllim që qytetarët, vizitorët e huaj dhe të huajt që hyjnë në Kosovë të kenë informacionet e duhura për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore”, u shpreh ajo.
Sipas Telës, në kuadër të përmirësimit të shërbimeve, MPB-ja ka punuar edhe në decentralizimin e tyre për t’i afruar më shumë qytetarëve.
“Në vazhdën e përmirësimit të shërbimeve dhe ofrimit të tyre sa më afër qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar njëkohësisht edhe në decentralizimin e shërbimeve. Pra, tash përveç në Prishtinë, do të ofrohet mundësia për aplikim për leje qëndrimi edhe në tri rajone të tjera: në Mitrovicën e Veriut, Gjilan dhe Prizren”, tha ajo, duke shtuar se kjo do të mundësojë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në këto shërbime.
Në komunikatë, MPB-ja ka shprehur edhe zhgënjim për bojkotimin e takimit nga disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb.
“Disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë zgjedhur të bojkotojnë këtë takim të zakonshëm informues, duke mos shfrytëzuar mundësinë që kanë pasur për të kontribuar në informimin e komuniteteve që përfaqësojnë”, thuhet në reagim.
Megjithatë, MPB-ja bëri të ditur se do të vazhdojë të organizojë takime informuese me qytetarët dhe organizatat, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe për informacione të sakta të ndjekin kanalet zyrtare të MPB-së dhe Policisë së Kosovës.
Po ashtu, zyrtarët e MPB-së vizituan edhe zyrtarët përgjegjës për pranimin e aplikimeve për Ligjin për të Huaj në Komunën e Mitrovicës së Veriut pas datës 15 mars 2026.

















