Mozilla ditën e sotme përditësoi versionin beta dhe atë të zhvilluesve të Firefox në projektin Firefox Quantum.
Që nga versioni 57, Mozilla e quan shfletuesin Firefox Quantum. Ky përditësimi i ri është i disponueshëm në Windows, Mac, Linux dhe Android.
Emërtimi i ri lë të kuptohet se Firefox 57 është më shumë se thjesht një përditësim sepse sjell me vete planet e kompanisë për të ndërtuar shfletuesin e gjeneratës së re dhe që shfrytëzon të gjitha avantazhet e harduerit modern.
Qëllimi i Mozilla është të bëjë Firefox shfletuesin më të shpejtë në botë jo vetëm në desktop por edhe mobile. Që nga versioni 53, për të kaluar në 54 dhe 55, Firefox është pajisur me disa prej funksionaliteteve Quantum por ato janë vetëm maja e ajsbergut.
Mozilla premton se Firefox Quantum do të jetë më i shpejtë dhe përdoruesit kanë për ta vënë re lehtësisht. Sipas Speedometer 2.0, Firefox Quantum është dy herë më i shpejtë sesa Firefox-i i vitit të kaluar.
Në videon e paraqitur, Mozilla krahason shpejtësinë e Firefox Quantum me Google Chrome.
Ndërsa Firefox historikisht ka funksionuar vetëm me një bërthamë procesorike, Firefox Quantum më në fund përfiton nga avantazhet e një procesori me shumë bërthama.
Shfletuesi i ri ka një motor më të shpejtë CSS dhe funksionon duke përdorur të gjitha bërthamat procesorike. Sipas Mozilla askush nuk e ka arritur këtë.
Kompania shkon më tej duke thënë se jo vetëm që Firefox Quantum është më i shpejtë, por konsumon 30% më pak RAM.
Duke lënë performancë mënjanë, Firefox Quantum sjell një rifreskim vizual të quajtur Photon. Ndërfaqja e re është përshtatur për ekranet me prekje, animacionet janë më fluide dhe të jep ndjesinë e një shfletuesi modern. /PCWorld Albanian