Frikë dhe ankth për Antoine Griezmann mbrëmjen e së Premtes. Mes personave që ndodheshin në sallën e koncerteve “Bataclan” ishte edhe motra e sulmuesit të Atleticos së Madridit, por për fatin e mirë të futbollistit, vajza në fjalë u largua e palënduar nga vendi ku ndodhi sulmi më i madh i terroristëve në qëndër të Parisit. Motra e Griezmann ishte duke ndjekur nga afër koncertin e grupit muzikor amerikan “Eagle of Death”, në shqip “Shqiponja e Vdekjes”, kur terroristët hapën zjarr kundër spektatorëve në brendësi të “Bataclan”it. Ish-teatri parizien që tashmë përdoret për evente muzikore ishte i gjithi i ezauruar me rreth 1500 persona në në brendësi të tij.
Në sallën e koncerteve “Bataclan” u regjistrua edhe bilanci më i madh i të vdekurëve plot 87 viktima nga sulmet kamikaze që terrorizuan Parisin mbrëmjen e së Premtes. Ishte vetë Griezmann me një postim në rrjetin social “Twitter”, ai që zbuloi se një prej spekatoreve që po ndiqte koncertin në “Bataclan” ishte edhe motra e tij. “Faleminderit Zotit që motra ime arriti të dilte nga Bataclan, të gjitha mendimet e mia tani shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre, Rroftë Franca“, shkruan Griezzman në “Twitter”.
Sulmuesi së bashku me shokët e tij të skuadrës mbeti i bllokuar për disa orë në ambientet e brendshme të “Stade de France” pas ngjarjes pasi ishte i impenjuar në miqësoren mes Francës dhe Gjermanisë. Deri tani numri i viktimave pas sulmeve terroriste që tronditën Parisin i ka kaluar 150 persona. Presidenti i Francës Francois Hollande nëpërmjet një konferece për shtyp paraditen e kësaj të Shtune shpalli tre ditë zie kombëtare në Francë./ss/