Valentino Rossi dominon Çmimin e Madh të Anglisë në MotoGP. Me klasin e zakonshëm, “Doktori” vallëzoi në shi, duke qenë i pakapshëm për rivalët në Silverstone. Kjo u kuptua prej paradites së të dielës, gjatë xhirove të nxehjes përpara garës, kur në pistë të lagur italiani regjistroi kohën më të shpejt.
Gara nisi mes kaosit, prej rreshjet e dendura të shiut, duke i detyruar drejtuesit që ta shtynin startin me thuajse 25 minuta. Rossi u shkëput mjaft mirë dhe arriti të mbante nën kontroll sulmet e Marquez. Kampioni i botës, që po luftonte me pilotin e Yamahas për triumfin, përfundoi në tokë në xhiron e 13-të dhe u detyrua të tërhiqet nga gara. Ky episod bën që Marquez t’i thotë lamtumirë shpresave për fitimin e titullit të tretë kampion radhazi, pasi e sheh veten 77 pikë larg Rossit dhe është matematikisht jashtë garës.
“Doktori” përfitoi edhe prej daljeve nga pista e Miller e Crutchlow të cilët ishin mjaft të shpejtë në shi. Një tjetër faktor në favor është kriza e madhe e Jorge Lorenzo-s. Edhe pse ishte në pistën e preferuar, spanjolli vuajti dhe u klasifikua vetëm i katërti, pasi ra në fazat e para të garës. Një zhgënjim për Lorenzo-n, që për të parën herë në këtë sezon kishte mundësinë të ishte i vetëm në krye të Botërorit.
Zbulimi i ditës ishte Danilo Petruçi. Pavarësisht nisjes nga vendi i 12-të, italiani me motorin Ducati-n e një viti më parë u rendit i dyti. Ai la pas vetes Andrea Dovizioso-n me Ducati-n zyrtar, që plotësoi një podium të gjithin italian. Vetëm vend i pestë për Dani Pedrosa-n, i cili la pas vetes britanikët Scott Redding dhe Bradley Smith. Falë suksesit në Silverstone, Rossi ka 12 pikë avantazh nga Lorenzo. Beteja e radhës për titullin do të zhvillohet pas dy javësh në pistën e Misano-s.