Moto GP, Lorenzo fiton në Valencia dhe kurorëzohet kampion

E publikuar: 08/11/2015 17:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jorge Lorenzo fiton titullin botëror në një prej sezoneve ndoshta më të polemizuar të Moto GP. Spanjolli i Yamahas zhvilloi një garë perfekte në ndalesën e fundit të sezonit në Valencia ku arriti të fitonte dhe të shpallej kampion pasi Valentino Rossi nuk arriti të ngjitej më lart se vendi i katërt. Për “Doktorin” që e nisi garën nga vendi i fundit nuk mjaftoi gara e shkëlqyer pasi Lorenzo e kontrolloi duelin e fundit në cdo metër që nga xhiroja e parë tek e fundit. I vetmi moment drithërues u shënua në fundin e garës kur Pedrosa tentoi parakalimin e Marquez por mund të kishte shkaktuar një aksident që do të komplikonte pozitën e Rossit që nuk arriti të fitonte titullin e dhjetë në karrierë.

Në krahun tjetër, Lorenzo numëron titullin e 5 në karrierë duke rikuperuar 7 pikët disavantazh ndaj italianit që ka kryesuar kampionatin që prej fillimit. Në këtë mënyrë mbyllet një sezon spektakolar me polemika që kulmuan në garën e Sepangut ku Marquez dhe Rossi u përplasën në një duel që nxorri jashtë pistës spanjollin por dënoi italianin me nisje nga vendi i fundit në Valencia ku ai nuk arriti të bënte mrekullinë duke u dorëzuar përballë shokut të skuadrës. Lorenzo kurorëzoi i paro një sezon me meritë ku Rossi nuk ishte ai që humbi sepse i pari ka matematikën në krahun e tij, ndërsa i dyti tregoi se epoka e tij nuk ka perënduar.