Moti gjatë ditëve të ardhshme – temperatura nën zero dhe reshje shiu e bore

E publikuar: 27/11/2017 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mëngjesin e së hënës i gjithë vendi u përfshi nga reshjet e borës të cilat intensitet më të lartë patën në viset malore në Kosovë. Sipas meteorologëve vendorë, reshjet e borës pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës në të cilën kemi hyrë. Temperaturat do të sillen prej -4 deri në 3 gradë celsius. E temperaturat me vlerën minimale më të ulët për këtë dimër, pritet që të arrijnë në muajin janar të vitit që po vjen. Ato pritet që të arrijnë deri në minus 22 gradë celsius.

Me kthimin e temperaturave të ftohta dimërore, në Kosovë është kthyer edhe bora. Në këto momente, në disa pjesë të vendit raportohet të jetë duke rënë borë. Sipas IMK-së, sot pritet të kemi mot të vranët, kohë pas kohe do të ketë reshje shiu që do të kalojë në reshje bore. Në lugina mund të ketë mjegull, kurse temperaturat do të sillën në mes – 4 e 3 gradë celsius.

Por sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës në ditën e tretë të kësaj jave, parashihet që të ketë një ngritje të lehtë të temperaturave, mirëpo kjo nuk do të zgjasë shumë. Nga e enjtka kthehen vranësirat në vend. Do të ketë reshje bore por edhe të shiut. Temperaturat pritet të lëvizin në mes -2 deri në 7 gradë celsius.

E sipas ish-drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, profesori i meteorologjisë Sylë Tahirsylaj, reshjet e borës nuk do të zgjasin shumë. Tahirsylaj për Express ka deklaruar se borë do të bjerë vetëm këtë javë.

Tahirsylaj thotë se temperaturat minimale në vend pritet të shënojnë vlerën deri minus 22 gradë celsius gjatë muajit janar.

“Vlerat minimale të temperaturave në vend pritet që të arrijnë në muajin janar. Në këtë muaj temperaturat do të zbresin deri në minus 22 gradë celsius. Ndërkohë që bora që ka rënë sot nuk do të zgjasë shumë. Bora do të zhduket shpejt. Temperaturat për këtë javë në viset malore do të arrijë deri në -5 gradë, ndërkohë në ultësira deri në minus 2 gradë”, ka thënë Tahisrylaj për Express

E mot i mirë nuk pritet të mbajë as në Evropë. Ekspertët britanikë parashikojnë që vendi të preket nga një valë polare e të ftohtit, duke bërë që vetë jeta e banorëve të vihet në rrezik.

Paralajmërimi vjen pasi Britania aktualisht po përballet me fundjavën më të ftohtë të sezonit, me temperaturat të cilat kanë rënë nën zero. /GazetaExpress/