Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për media ku drejtuesi i Grupit Parlamentar, z. Glauk Konjufca, foli rreth mosvotimit të djeshëm të Gjykatës Speciale. Ai tha se mosvotimi i kësaj gjykate nga Kuvendi është një lajm i mirë për Kosovën. “Dje u evitua heqja e një pjese të konsiderueshme të sovranitetit republikan”, tha Konjufca.
Më tutje, ai reagoi ndaj kërcënimeve të Qeverisë se këtë çështje do ta rikthejë në Kuvendin e Kosovës. “Në vend që Qeveria të reflektojë pas këtij refuzimi në Kuvend, ajo është përcaktuar për rrënimin total të demokracisë parlamentare. Dje, kryeministri Mustafa dhe zv.kryeministri Thaçi të hidhëruar nga vota e lirë dhe e ndërgjegjshme, paralajmëruar masa ndëshkuese dhe bënë thirrje hakmarrëse për këdo që ka votuar kundër. Thaçi dhe Mustafa po I ngjajnë njëri-tjetrit gjithnjë e më shumë. Janë bërë sikur binjakët siamezë. Njëri i kërcënon deputetët partisë së tij që nuk e votuan për kryeministër. Tjetri i kërcënon deputetët e partisë së tij pse nuk e votuan Specialen. Tash ata po thonë se do ta kthejnë sërish votimin e Speciales. Ky është fundi i demokracisë.”
Në anën tjetër Konjufca foli edhe për kërcënimet që po u bëhen qytetarëve se gjoja kjo gjykatë do të themelohet nga jashtë. “Vetë ndërkombëtarët, në shtetet e tyre nuk do të pranonin këso çarje të madhe të sistemit të drejtësisë”, tha ai.