Lavdim Makshana hulumtues në Insitutin Kosovar të Drejtësisë, vlerëson se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me mosdekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror, është bazuar në të gjeturat e shoqërisë civile dhe nga reagimet.
Makshana, mes tjerash theksoi se procesi i dekretimit të Isufajt ka qenë në tërësi proces i kontestuar.
“Në tërësi si proces, ka qenë proces i kontestuar, megjithatë ne kemi kërkuar nga presidentja e Kosovës, që ta ktheje në pikën zero këtë proces, që të mos ta dekretojë zotërinë Isufaj si kryeprokuror të shtetit. Ajo çfarë sot ne kemi parë është që pikërisht ky vendim u mor sot nga presidentja e Republikës së Kosovës”, u shpreh Makshana në InfoMagazine në Klan Kosova.
Ai gjithashtu potencoi se presidentja Osmani është bazuar edhe te ambasada britanike kur ishte tërhequr nga procesi i monitorimit të këtij procesi.
“Duke pasur parasysh që roli i presidentit në rastin konkret është që të garantojë funksionimin e institucioneve në Republikës së Kosovës, presidentja realisht ka marrë një vendim duke u bazuar në të gjeturat që kanë dalë nga raporti i shoqërisë civile, nga reagimet, duke filluar nga ambasada amerikane, gjermane, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe poashtu nga reagimet që i kishte bërë ambasada britanike kur ishte tërhequr nga procesi i monitorimit të këtij procesi”.
















