Nga Andi Bushati
Reagimi i vonuar i Brukselit për ligjin e shumëdebatuar për shembjen e Teatrit Kombëtar, i është servirur publikut në mënyrën më ekstreme të mundshme, aq sa një lexues i pavëmendshëm zor se kupton dot diçka. Të gjitha mediat pranë qeverisë, në një kor të unifikuar, kanë nënvizuar në titujt e tyre faktin se Ligji special, Edi Rama- Shkëlqim Demir Fusha nuk shkel angazhimet e Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes së Asocimit.
Ndërsa të gjithë ata që kanë qenë në barrikadën e kundërt, pra që kanë kanë denoncuar një aferë korruptive, ku një kryeministër i jep një klienti të vet një truall publik dhe lejen e ndërtimit për 6 kulla, pa garë dhe pa tender, kanë nënvizuar dënimin e kësaj praktike nga Brukseli dhe thirrjen që ligji special të amendohet.
Pikërisht për të kthjelluar këtë informacion partizan, që më shumë sesa informimit, i shërben propagandës, duhen shpjeguar fillimisht disa gjëra.
Po, është e vërtetë që opozita, kundështarët e shembjes së teatrit dhe madje edhe media të huaja kanë mbajtur qëndrim se ky ligj special është në kundërshtim me marrëveshjen e MSA.
Po, është gjithashtu e vërtetë se letra e e Shefes së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnjen në Drejtorinë për Negociatat dhe Zgjerimin, Michela Matuella e hedh poshtë këtë pretendim.
Por, ky fakt i vënë si titull në të gjitha mediat e dyshes Rama- Veliaj, është vetëm një detaj në thelbin e qëndrimit që ka mbajtur Brukseli. Sepse që të kuptohet ai, duhet vënë në kontekstin e debatit që është zhvilluar në Shqipëri.
Nga njëra anë këtu u renditën: Edi Rama që prezantoi edhe godinën e re të projektuar nga Bjarke Ingels, Erion Veliaj që s’la aktor të ri dhe burrë plak pa korruptuar dhe shumica e deputetëve socialistë që votuan ligjin sepecial. Të gjitha ata pretendonin se po i bënin vendit një të mirë publike. Se duke mos pasur para në buxhet, po i jepnin Tiranës një teatër modern që kushtonte 30 milionë euro.
Ndërsa në anën tjetër, qëndronin ata që bërtisnin se kjo është një vjedhje. Një akt i mbyllur që në 2016, mes një kryeministri dhe klientit të tij që ka marrë deri më tani 80 milionë euro para publike. Këta të fundit, ngrinin disa pyetje të thjeshta: Mirë doni teatër të ri (pavarësisht nga mashtrimet që u thurrën për godinën historike), mirë s’keni para ta ndërtoni, po pse ia jepni një firme të vetme? Pse një studioje arkitektonike pa konkurs? Si është e mundur që në këtë biznes, fitimi i të cilit përllogaritet afro 200 milionë euro, të mos ftohen edhe kompani të tjera?
Pikërisht, për këto dy pozicione diametralisht të kundërta do të gjykonte Brukseli.
Dhe aty, në qendrën e BE, ku nuk përdor dot as mediat që janë në gjendje ta bëjnë të bardhën të zezë, ku nuk nxjerr dot as aktorët lapangjozë që lëpijnë natën atë që pështyjnë ditën, qeveria nuk ka pasur asnjë mundësi ta mbronte pozicionin e saj. Ajo nuk ka qenë në gjendje të argumentojë, se si ka mundësi që parlamenti i këtij vendi ka bërë një ligj special me emër të veçantë, se i ka falur një biznes 200 milionësh një kompanie pa garë, se i ka dhuruar tokë publike një biznesmeni, duke shmangur votimin e këshillit bashkiak për këtë.
Prandaj, po të lexohet me kujdes letra e ardhur nga BE, aty kuptohet se qeveria shqiptare është tërhequr para zyrtarëve europianë. Ajo nuk ka pasur fuqi ta mbrojë para tyre një zullum kaq të trashë. Prandaj në përgjigje thuhet shprehimisht: “Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”.
Pra i lexuar kështu, qëndrimi i Brukselit është një fitore e qartë e të gjithë atyre që kishin denoncuar tentativën grabitqare Rama, Veliaj, Fusha.
Zbythja e qeverisë para zyrtarëve europianë dhe theksimi prej tyre i domosdoshmërisë për amendimin e ligjit special dhe domosdoshmërinë e garës, i ka dhënë të drejtë të gjithë atyre që kanë denoncuar vjedhjen.
Por, sado i bukur qoftë, ky triumf mbetet vetëm një sadisfaksion moral. Një kënaqësi, që ishin në anën e së drejtës e të gjithë atyre që treguan me gisht këtë mega aferë.
Vetëm kaq, asgjë më shumë.
Sepse praktika e deritanishme na ka treguar se as Rama dhe as oligarkët e tij nuk dinë të ndalen pasi kanë ndjerë erën e milionave. Në ato 80 milionë euro para publike, që qeveria i ka dhënë “Fushës”, ka vërtet prokurime të drejtpërdrejta, por ka gjithashtu edhe plot gara që kanë qenë të tilla vetëm në letër.
Prandaj, nuk do të jetë çudi që edhe me teatrin të ndodhë pikërisht kështu.
Të bëhet një ligj që i hedh hi syve BE-së, por përsëri, gjithçka të përfundojë sipas planit Rama- Fusha.
Pikërisht për këtë, fitorja e lajmit të sotëm është vetëm morale. Ajo tregon se ata që denoncuan grabitjen skadaloze, kishin të drejtë, por ajo nuk garanton asesi, se godina e Teatrit Kombëtar është shpëtuar.