Mos i humbisni: Disa studime pikante për shëndetin

E publikuar: 29/01/2016 10:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sheqeri i tepërt jep çrregullime në tru, rrezikon kujtesën

Konsumimi i tepërt i gjërave me sheqer artificial shkakton çrregullime në tru dhe ndalon riprodhimin e qelizave staminale. Këto qeliza janë thelbësore për aftësinë e të nxënit dhe kujtesën. Sipas studimit të kryer në universitetin katolik “Sacro Cuore” dhe publikuar në revistën “Cell Reports”, një dietë ushqimore me pak sheqerna dhe e varfër në kalori rrit numrin e qelizave staminale të trurit dhe “lubrifikon” kujtesën dhe aftësinë për të nxënë. Qelizat staminale të sistemit nervor janë thelbësore për mbajtjen në kohë të funksionimit të trurit, kontrollit nëse janë pak apo funksionojnë keq. Studimi tregon se prania e sheqerit në tru, (siç ndodh në rastin e të sëmurëve me diabet), komprometon funksionimin e këtyre qelizave, duke ulur kapacitetin riprodhues. Rezultatet e arritura nga ky studim konfirmojnë edhe një herë se nga një dietë ushqimore me shumë sheqer artificial, sikurse janë ëmbëlsirat, pijet e gazuara, ushqimet e shpejta, performanca njohëse përkeqësohet.

OBSH, virusi Zika po përhapet me shpejtësi

Pas rasteve të evidentuara në Brazil, Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin se virusi po përhapet me shpejtësi të madhe në të gjithë kontinentin amerikan, edhe pse në disa shtete nuk gjendet mushkonja “Aedes”, vektori që përhap këtë virus. Ndërkohë, virusi Zika ka mbërritur edhe në Europë, ku 4 raste janë identifikuar në Italinë e afërt. Një nga vektorët që e transmeton ketë virus, ndodhet edhe në vendin tonë, madje sipas specialistëve ajo gjendet edhe në ambientet e shtëpive. Por që virusi të transmetohet tek njeriu, mushkonja duhet të ketë pasur kontakt më parë me një person të infektuar. Ekspertë të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik sqarojnë se personat e prekur nga ky virus nuk kanë rrezik për jetën. Sëmundja kurohet për shtatë ditë dhe nuk lë pasoja në shëndet. Ndërsa për nënat shtatzëne virusi Zika shkarton dëme të parikuperueshme për foshnjën. Simptomat e virusit janë të ngjashme me rubeolën. Zika shkakton temperature, dhimbje te forta muskujsh dhe shenja të kuqe në trup. Deri tani në Shqipëri nuk ka raste të konstatuar me virusin Zika, madje qe kur është zbuluar ne 1940 ai nuk ka hyre asnjëherë ne vendin tonë. Drejtues të Shëndetit Publik i bëjnë apel popullatës ne mënyre te veçante nenave shtatzëne te shmangin udhëtimet drejt Brazilit, Argjentinës dhe Kolumbisë.

Kafja nuk i bën gjë zemrës, as nuk shton rrahjet

Kafja, bën mirë apo keq? Vetëm për kafenë kush e di sa studime keni lexuar! Por një studim i fundit shpjegon më me detaje lidhjen mes kafeinës dhe zemrës. Sipas studimit thuhet se pirja e kafesë nuk shton rrahjet e zemrës dhe as nuk jep çrregullime të rimit kardiak. I publikuar në revistën mjekësore të Shoqatës Amerikane të Zemrës, studiuesit kërkojnë një ripozicionim të efekteve që jep kafeina tek zemra, pasi në disa raste ka edhe efekte pozitive. Në studim janë marrë rreth 1400 persona, ku 61% e tyre konsumonin më shumë se një herë në ditë kafe, çaj apo çokollatë. Gjatë studimit nuk u vu re asnjë problem i shkaktuar në ritmin kardiak. Për këtë arsye në përfundim të studimit, kërkuesit e Universitetit të Kalifornisë thanë se rekomandimet e dhëna kundër konsumit rregullisht të produkteve me përmbajtje kafeine, në mënyrë që të shmangen problemet kardiake, duhen rishikuar, pasi siç thonë studiuesit, “mund të kemi ndaluar substanca që japin përfitime për sistemin kardiovaskular.”

Rënia në peshë e pamundur? Shkak edhe mosha

Me kalimin e viteve, rënia në peshë mbetet një sfidë. Kur je 20 vjeç e ke më të lehtë të mbash një dietë, të kontrollosh ushqimet, rrjedhimisht edhe të biesh në peshë, por kur je 40 vjeç është më e vështirë. Megjithatë, ajo që duhet të dihet se rënia në peshë nuk ka lidhje nëse jeni prindër, beqarë apo vetëm bashkëshortë. Studimi merr në fakt arsyen se përse me kalimin e viteve është më e vështirë të biesh në peshë, një ankesë që shumë persona e kanë, nuk bien dot në peshë. Arsyeja kryesore sipas studimit është ngadalësimi i metabolizmit. Përditshmëria, puna, shumë herë pakujdesia dhe mungesa e një regjimi ushqimor të rregullt krijon probleme që shfaqen në shëndetin tonë. Gjithashtu zakone të këqija që krijohen në situata të ndryshme, kur jeni shtatzënë “miti” për të ngrënë për dy veta apo për të mos lënë asgjë në pjatë edhe pse jemi ngopur. Mungesa e aktivitetit gjithashtu krijon probleme, pasi në këtë mënyrë trupi ynë krijon rezerva ushqimore të cilat jo gjithmonë arrijnë të konsumohen, duke krijuar depozita në formë dhjami apo mishi. Gjithë këto faktorë ndikojnë në ngadalësimin e metabolizmit. Ndryshimi i ritmit të jetës, dieta ushqimore dhe aktiviteti fizik sigurisht që ndryshon tek 20-vjeçarët, sikurse edhe tek 40-vjeçarët. Për këtë arsye studiuesit thonë se çdo moshë ka ritmin e vet, ashtu sikurse metabolizmi, ndaj për këtë me kalimin e viteve është mirë që të krijohet një strategji, e cila të ndihmojë në mbajtjen e një qëndrueshmërie në peshën tuaj.

Krijohen “super” makaronat, me fibra dhe antioksidantë

Për adhuruesit e makaronave shumë shpjet do të vijnë “super” makaronat të pasura me fibra, proteina dhe antioksidantë, të dobishme për të ulur riskun e sëmundjeve kardiovaskulare. Studimi për prodhimin e “super” makaronave po vazhdon prej vitesh në Universitetin e Bolonjës. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën mjekësore “Food Research International”. Në studim jepet baza e të dhënave për prodhimit të makaronave që respektojnë ambientin pa çuar dëm asnjë kokërr gruri. Përdorimi i një metode të re për korrjen e grurit, do të ndihmojë në prodhimin e këtyre makaronave. Përdorimi i ajrit, kështu do të bëhet e mundur ndarja e grurit që në arë. Përmes kësaj metode bëhet e mundur klasifikimi i kokrrave të grurit në dy pjesë, kokrrat e mëdha dhe të pasura me fibra dhe antioksidantë, dhe pjesa tjetër në kokrra më fine dhe më me shumë proteinë. Duke punuar më shumë me këta “përbërës”, përfitohen “super” makaronat, në përbërje të së cilave ka shumë fibra, antioksidantë, që luajnë një rol të rëndësishëm në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.