Morina dhe Kërçiku drejt Flamurtarit

E publikuar: 05/08/2015 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Flamurtari vazhdon përforcimet cilësore në merkato. Edhe pse aktualisht skuadra ndodhet në Maribor të Sllovenisë për fazën përgatitore, drejtuesit e klubit vazhdojnë të jenë aktivë në merkato.

Dy afrimet më të fundit pritet të jenë sulmuesi Mario Morina dhe mesfushori Dorian Kërçiku. Bregdetarët vijojnë negociatat intensive me futbollistët dhe sipas burimeve pranë klubit, akordi është mjaft pranë.

Morina dhe Kërçiku janë lojtarët e radhës që largohen nga Tirana për të udhëtuar drejt Vlorës, pas mbrojtësit Debatik Curri.

Për Kërçikun lëvizja nuk vjen si surprizë, pasi klubi kishte ndërprerë marrëdhënien kontraktuale. E njëjta nuk mund të thuhet për Mario Morinën. Sulmuesi cilësohej një lojtar mjaft i rëndësishëm për bardheblutë dhe vetëm pak ditë më parë, kishte rënë parimisht dakord me presidentin Halili, për të qëndruar në kryeqytet.

Largimet e dy titullarëve të sezonit të kaluar kanë vënë në lëvizje drejtuesit e 24 herë kampionëve. Për mesfushën, përforcim pritet të jetë Erjon Vucaj. Mesfushori që nuk gjeti hapësira te Flamurtari gjatë edicionit të kaluar, pritet të zyrtarizohet të premten.

Për sulmin, në “pole” është Gilberto Fortunato, braziliani që la përshtypje shumë të mira në gjysmën e dytë të sezonit 2013-2014, duke kontribuuar në mbijetesën e Tiranës. Akordi me 27-vjeçarin është arritur dhe pritet zyrtarizimi. Tjetër alternativë për repartin ofensiv cilësohet ish-sulmuesi i Skënderbeut, Fatjon Sefa.