Skuadra Mercedes dominon testet e lira në pistën e Monzas duke hedhur kandidaturën për një tjetër fitore që me shumë mundësi do të ndahet mes dyshes Hamilton-Rosberg të cilët po luftojnë edhe për titullin botëror. Pas testeve të para, klasifikimi i pasdites ishte pothuajse identik me Lewis Hamilton në krye të të gjithë pilotëve pasi kampioni i botës regjistroi kohën 1 minutë, 24 sekonda e 279 të qindtat, duke lënë pas me 21 të mijtat shokun e skuadrës Nico Rosberg.
Më i shkëputur duket ferraristi Sebastian Vettel me mbi 7 të dhjetat më shumë se vendi i parë. Në këtë sesion u konfirmua rritja e dukshme e skuadrës Focre India që me Sergio Perez e Nico Hulkenberg u rendit në vendin e katërt dhe të pestë përpara Ferrarit të Kimi Raikkonen. Sinjale negative nga Williams që arriti vetëm vendin e dhjetë me Felipe Massan, ndërsa Fernando Alonso hasi probleme të mëdha me njëvendeshen McLaren-Honda pasi regjistroi kohën e 16 më të mirë të testeve të dyta në Monza ku të Dielën do të zhvillohet gara për Çmimin e Madh të Italisë.